KQZ: Filloi periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës

- Bota Sot

KQZ: Filloi periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se ka filluar periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Bëhet e ditur se gjatë periudhës 120 ditore (29 gusht – 26 dhjetor 2024) për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës, qytetarët me të drejtë vote mund ta mësojnë qendrën e tyre të votimit dhe nëse dëshirojnë edhe ta ndërrojnë atë, duke e caktuar sa më afër vendbanimit të tyre.

Parashtrimi i kërkesës për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës mund të bëhet përmes platformës së vendosur në ueb faqen e KQZ-së www.kqz-ks.org apo në vegzën direkte qv.kqz-ks.org dhe kjo do të shqyrtohet nga shërbimi votues i KQZ-së.

Ndërrimi i Qendrës së Votimit është i mundur edhe duke paraqitur kërkesën në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve, në komunën përkatëse.

Për informata shtesë, qytetarët mund të kontaktojnë në këtë linjë ndihmëse pa pagesë 0800 55 555.



Lexoni të gjitha në Bota Sot