Ish-profesori i UPZ-së akuzohet se i kërkoi një studenteje marrëdhënie intime në këmbim të notës

- Gazeta e Prizrenit

Ish-profesori i UPZ-së akuzohet se i kërkoi një studenteje marrëdhënie intime në këmbim të notës

I akuzuari Bashkim Zahiti, ish-profesor në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren mungoi në seancën gjyqësore të datës 02.09.2024 në Gjykatën e Prizrenit dhe kësisoj mbajtja e kësaj seance dështoi. Ai akuzohet për keqpërdorimi të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe të ushtrimit të ndikimit.

Sipas aktakuzës, ish-profesori akuzohet se i kërkoi një studenteje marrëdhënie intime në këmbim të vendosjes së notës. Gjyqtarja Ajser Skenderi bëri të ditur se mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Naser Sopjani, e kishte njoftuar gjykatën me anë të një shkrese se i akuzuari Bashkim Zahiti nuk mund të paraqitet në shqyrtimin gjyqësor për këtë datë.Sipas tij, kjo pasi që i njëjti gjendet në Gjermani në trajtim mjekësor dhe sipas rekomandimeve të mjekëve ai nuk mund të udhëtojë në Kosovë. “Çështja është në fazën e shqyrtimit fillestar për shkaqe objektive – shëndetësore të të akuzuarit seancat janë shtyrë dhe nuk ka arritur të mbahet as shqyrtimi fillestar, kjo me rekomandim të mjekut në gjermani” – tha për KALLXO, avokati i të akuzuarit.

Seanca e radhës gjyqësore për këtë rast është caktuar të mbahet më 10.10.2024. Bashkim Zahiti, ish-profesor i Fakultetit Juridik në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, ka qenë nën masën e paraburgimit prej datës 18.06.2015 deri më 03.07. 2015, për shkak të dyshimit për kryerje të dy veprave penale – atë të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe të ushtrimit të ndikimit.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Zahiti në cilësinë e personit zyrtar duke shfrytëzuar detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për vete, në atë mënyrë që përkundër faktit që e dëmtuara N.N. e kishte kaluar provimin më datë 20.01.2014 nga lënda që e ligjëronte i akuzuari “E drejta Europiane” nuk ia vendosur notën kaluese në indeks.

“Përmes thirrjeve telefonike dhe takimeve që i ka pasur në kabinetin e tij në UPZ gjatë periudhës kohore tetor 2014 e deri në mars 2015, kërkon nga ajo që në shkëmbim të vendosjes së notës, të ketë marrëdhënie intime, duke i thënë përpos tjerash ‘duhesh me e pyet veten që nuk po pranon me dalë me mu, duhesh me ardhë në Prishtinë, ti ose del me mu ose edhe dy provime që i ke s’ki me i kalu kurrë, ta jap nëse ma jep, me e pas bo nerën tash një vit e kishe dhënë…’”- thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë së Shtetit.

Me këto veprime, Zahiti, ngarkohet për kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar – sipas aktakuzës. Zahiti, po ashtu akuzohet se në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar përfitime edhe nga e dëmtuara tjetër N.N.“Përmes bisedave telefonike që kishte zhvilluar me të gjatë periudhës kohore nëntor 2014 e deri në shkurt 2015, me pretekstin se do t’ i ndihmojë për ta kaluar provimin në një lëndë që e ligjëronte kolegu i tij, i kërkonte asaj që të shkonte në Prishtinë ose në Graçanicë për të pasur marrëdhënie intime.” “’Kur ta lajsh borxhin ose kur ma bën dhuratën do të foli me profesorin, pasi ti preki c… e ke të kryer fakultetin do të diplomosh me dhjetëshe, për ty do ta luti profën, bëjmë diç por qysh bëjmë ti e din…”- citohet t’i ketë thënë i akuzuari të dëmtuarës, sipas aktakuzës. Me këto veprime sipas prokurorisë ka kryer veprën penale të ushtrimit të ndikimit.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit