Gjykata Themelore në Ferizaj, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit R.Xh., të njëjtit i cakton masën e arrestit shtëpiak, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale sulm seksual.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake e Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se më datë 28 gusht 2024, në një fshat të Komunës Kaçanik, përkatësisht në një objekt të shkollës fillore, për qëllime seksuale e ka keqpërdorur seksualisht të dëmtuarën e mitur, e cila ishte nën 16 vjeç, në atë mënyrë që i pandehuri si arsimtar i muzikës, ka kryer sulm seksual ndaj të dëmtuarës, në atë mënyrë që derisa e dëmtuara shkon në shkollë ku ishte nxënëse dhe hyn në një klasë ku zhvilloheshin orët e muzike, për tu përgatitur për një emision që kishte, posa vjen i pandehuri e dëmtuara i’a zgjatë dorën për ta përshëndetur, por i pandehuri i’a shtrëngon dorën e ofron nga vetja duke e mbërthyer me dy duar nga vetja, ashtu që me veprimet e tij të mëtejme i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale sulmi seksual”, thuhet në njoftim.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka refuzuar, për të cilën të pandehurit i cakton masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaj konform dispozitave të KPPRK-së.
Gjyqtari i procedurës paraprake me rastin e vendosjes lidhur me masën e arrestit shtëpiak vlerëson se të pandehurit R.Xh., i është caktuar masa e arrestit shtëpiak me bindjen se e njëjta do të jetë masë e mjaftueshme për të arritur qëllimin ligjor të shqiptimit të masave të parapara për sigurimin e pranisë së të pandehurit. Kjo për faktin se sipas dispozitave të KPPRK-së, me rastin e vendosjes se cilën nga masat do ta zbatoj për sigurinë e të pandehurit, gjykata detyrohet t`i merr parasysh kushtet e përcaktuara për masat konkrete të siguroi që të mos zbatoj masë më të rëndë kur mjafton masa më e butë.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.