Nënkryetari i Listës Serbe, Dragisha Milloviq, ka thënë mbrëmë se është kërkuar nga kryetarët serbë të komunave paralele në veri të Kosovës të japin deklarata për shkak të nënshkrimeve të falsifikuar.
Menjëherë ka pasuar reagimi i drejtorit të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, ku ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “vazhdon të kryejë terror në veri dhe se tani dëshiron të arrestojë përfaqësuesit politikë të popullit serb për të realizuar planin e tij – të dëbojë gjysmën e serbëve dhe të arrestojë gjysmën tjetër”.
“Urdhëresat për marrjen në pyetje të liderëve të Listës Serbe si të dyshuar, për shkak të “gjoja” falsifikimit të dokumenteve, është tregues i persekutimit brutal politik të liderëve të serbëve nga veriu i Kosovës, i urdhëruar nga Albin Kurti, i cila do të ketë pasoja të mëdha”, ka shkruar Petkoviq në rrjetin social X.
Sipas pretendimeve të tij, udhëheqja e institucioneve serbe “nuk ka falsifikuar asgjë dhe ka bërë gjithçka ekskluzivisht në përputhje me ligjin, duke ofruar shërbime si për serbët ashtu edhe për shqiptarët. Sikur Kurti ta kishte formuar Asociacionin, sot nuk do të ishim në këtë situatë”.
“Beogradi menjëherë ka njoftuar komunitetin ndërkombëtar dhe KFOR-in për këtë akt të fundit të dhunës së Kurtit. Nëse veprimet maksimale të tyre janë njoftimet dhe dënimet verbale pa asnjë reagim konkret, bëhet e qartë se cila është prapavija e persekutimit të serbëve nga Kurti”, ka përfunduar Petkoviq.