Prizren: Kuvendarët e opozitës kundërshtojnë që i përfoluri, Arben Shala, të riciklohet në Komisionin për drejtor shkollash

- Gazeta e Prizrenit

Prizren: Kuvendarët e opozitës kundërshtojnë që i përfoluri, Arben Shala, të riciklohet në Komisionin për drejtor shkollash

Kuvendarja opozitare nga Vetëvendosje në Prizren, Dafina Alishani reagoi fort ndaj propozimit të Drejtorisë së Arsimit, që Aben Shala, i përfolur në medie për dyshime në kurdisje të konkursit, të riciklohet në Komisionin për drejtor shkollash, duke thënë se ai është i varu nga pushteti

Propozimi për formimin e komisionit përzgjedhës për drejtorë shkollash të komunës, në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal (KK), shkaktoi reagim tek kuvendarët opozitarë.

Në Komisionin e prezantuar para Asamblesë, kishte emra të mëparshëm, përfshirë edhe Arben Shalën, që pushteti i Shaqir Totajt, po mundohet ta kontrabandojë si “të pavarur”.

Kjo shkaktoi reagim nga kuvendarët Selman Sokoli e Dafina Alishani (VV), të cilët patën kritika, sidomos ndaj emrit të Shalës, duke kujtuar audio-incizimet për të dala në medie, me dyshime për kurdisje në konkurset e mëparshme.

“Mos na fyeni me këtë ekspert i pavarur. Hiqjani PA – dhe bëni Arben Shala ekspert i varur, është komplet i varur prej politikave tuaja, e keni njollos me pazaret e juaja”, iu drejtua Alishani drejtuesve të pushtetit lokal, në sallën e KK-së.

Në një audio-incizim të publikuar kohë më parë, nga Gazeta Insajderi, Arben Shala dëgjohej derisa fliste për rastin e përzgjedhjes së drejtoreshës së gjimnazit “Gjon Buzuku”, e ku përmendeshin edhe trikat gjatë përzgjedhjes.

Alishani tha se opozita nuk i ka harruar manipulimet e bëra dhe assesi nuk i do këta njerëz, që kanë bërë marrëveshje me pushtetin, derisa e lëshoi audio-incizimin e Shalës, por iu ndal mikrofoni nga Kryesuesja e KK-së.

Opozita në Prizren e ka kritikuar pushtetin e Totajt, se e ka kundërshpërblyer Arben Shalën për “shërbimin” ndaj pushtetit, duke ia dhënë 39 mijë euro, në dy pjesë.

Herën e parë Shalës i janë ndarë në formë suvjencioni 14 mijë euro në emër të shoqatës Plan, të cilën sapo e kishte regjistruar. LDK ndërkaq pati reaguar se Komuna e Prizrenit ia dha tenderin afro 25.000 eurosh, operatorit anonim “Consulting and Menagement Group”, për projektin “Hartimi i planit për zhvillimin e arsimit në Komunën e Prizrenit”, ku figuronte numri i telefonit të Arben Shalës.

Alishani ndërkaq ka akuzuar pushtetin e Totajt se e kapluar frika në vitin e fundit të qeverisjes, ndonëse është dëshmuar “pazarxhi i mirë që po di të blejë asamblistë kundrejt punësimeve”. /Gazeta e Prizrenit.

Audio-incizimi i publikuar nga Gazeta Insajderi



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit