13 të pandehurit në lidhje me akuzat për kontrabandimin e 80 mijë kilogramëve duhan, sot më datë 08.10.2024, janë ulur sërish në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prizrenit.
Në këtë rast për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar po akuzohen Besart Malaj, Ilir Bobi, Hekuran Dana, Dritëro Zeka, Jeton Berisha, Milan Vidosavljeviq, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlija, ndërsa i akuzuari Dritan Hasimja për veprën penale – marrja e ryshfetit.
Nga ana tjetër, Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha po akuzohen për veprat penale – kontrabandim i mallrave, shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore dhe tregtia e ndaluar.
doganorë, 64 herë ua sigurojnë të pandehurve Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha, kalimin e automjeteve të ngarkuara me duhan të grirë-refuz – në sasi të përgjithshme prej 80 mijë kilogramë, filtër për cigare “Grande” – 1 milion e 300 mijë copë, filtër për cigare “Gentleman” – 400 mijë copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro” dhe “West”, të gjitha nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.
Me këto thuhet se i kanë shkaktuar dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerën e taksës së akcizës, taksës së doganës dhe TVSH-së së papaguar rreth 3 milionë euro.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit me këto veprime në bashkëkryerje dhe vazhdimësi kanë kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Të akuzuarit Driton Kurshumlija dhe Dritan Hasimja gjatë muajit shkurt-mars 2019, në cilësi të personave zyrtarë, në pikën kufitare në Vërmicë, kërkojnë përfitime për vete, për të vepruar në pajtim me detyrat e tyre
Sipas aktakuzës, i akuzuari Kurshumlija më 7 shkurt 2019 kërkon nga i dëmtuari Sefedin Jasiqi shumën prej 100 euro, për kryerjen e zhdoganimit të mallit duke i thënë se zhdoganimi është më lirë nëse i dëmtuari i paguan 100 euro.
Po ashtu, i njëjti thuhet se më 31 mars 2019 kërkon nga i dëmtuari Mentor Rexhepi shumën prej 70 euro për kryerjen e zhdoganimit të mallit, duke i thënë se aq kishte kushtuar zhdoganimi.
Ndërsa, i akuzuari Hasimja më 03 shkurt 2019, thuhet se kërkon para nga i dëmtuari Sali Kalludra për kryerjen e zhdoganimit, duke ditur se mallrat që importon KFOR-i janë të liruara nga dogana.
Aktakuza thotë se më 08 shkurt 2019, i pandehuri merr shumën prej 100 euro nga i dëmtuari Selim Morina për të zhdoganuar vetëm një pjesë të mallit.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale – marrje e ryshfetit në vazhdimësi.
Tutje në aktakuzë thuhet se të pandehurit Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha akuzohen se në periudhën kohore 7 mars 2018 – 21 maj 2019, në pikë-kalimin kufitar në Vërmicë, në bashkëkryerje, pa leje përkatëse shmangin kontrollin doganor dhe kalojnë vijën kufitare duke bartur duhan të grirë-refuz në sasi të përgjithshme prej 80 mijë kilogramë, filtër për cigare “Grande” – 1 milion e 300 mijë copë, filtër për cigare “Gentleman” – 400 mijë copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro” dhe “West”, të gjitha nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.
Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje në vazhdimësi akuzohen se kanë kryer veprat penale kontrabandim me mallra, veprën penale – shmangie nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore, si dhe veprën penale – tregti e ndaluar.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK./Kallxo.com/