Kryetari i degës së LDK-së në Prizren, njëherësh deputet, Driton Selmanaj me bashkëpunëtorë vizitoi mjeshtrit e filigranit, një nga zejet më të vjetra dhe të njohura të qytetit.
Përmes veglash dore dhe teknikave tradicionale, filigranistët, të cilëtkrijojnë objekte artistike nga argjendi, bakri, qelibari dhe gurët e çmuar, kanë bërë që Prizreni të njihet në mbarë botën për këtë mjeshtëri të veçantë.
Gjatë takimit, ata diskutuan për sfidat që hasin në ruajtjen dhe zhvillimin e kësaj zeje fisnike dhe unike.
Selmanaj dhe ekipi i tij theksuan rëndësinë e mbështetjes institucionale për ruajtjen e filigranit dhe u zotuan se do të angazhohen për përfshirjen e kësaj zeje në programet e institucioneve edukative profesionale. Gjithashtu, ata premtuan se do të punojnë që filigranistët dhe veprat e tyre të trajtohen si vlera të veçanta kulturore, duke u mbrojtur nga shteti në mënyrë që kjo traditë e rrallë të mos zhduket.
Ai theksoi se ky profesion i rrallë dhe i rëndësishëm për identitetin e Prizrenit meriton përkujdesje të veçantë dhe mbështetje nga institucionet shtetërore.