Zvicra të shtunën do të përballet me Serbinë në kuadër të Ligës së Kombeve.
Pas dueleve në Botërorin 2018 dhe 2022, të gjithë sytë janë te kapiteni i Natit, Granit Xhaka.
Ndërkohë, në Serbi i vlerësojnë aftësitë futbollistike të Xhakës.
“Mendova se s’është e vërtetë”, thotë për “Blick” Taulant Xhaka për momentin kur u shpall shorti me Sebinë si kundërshtare e Zvicrës në Ligën e Kombeve.
Fakti që tani është ndeshja e parë në Serbi për kapitenin e Nati-t, Granit Xhaka pas dueleve të nxehta në Botërorin 2018 në Rusi dhe 2022 në Katar, është marrë me shqetësim nga familja e tij.
Vetë Taulant Xhaka ishte në stadiumin e Beogradit në vitin 2014 kur u ndërpre ndeshja me kombëtaren shqiptare kundër Serbisë. “Unë e di vetë se sa presion dhe emocion duhet të durosh në këtë lojë”.
Kjo është arsyeja pse vëllai i madh e mori telefonin në Bazel menjëherë pas shortit, siç tregon ai për “Blick”. “I propozova Granitit që të fliste me trajnerin Murat Yakin dhe ndoshta ta shmangte këtë lojë – por të gjithë e njohim vëllain tim, ai dëshiron të luajë çdo ndeshje për Zvicrën”, tha Taulant Xhaka.
33-vjeçari shpreson para së gjithash që të mos jenë ditë kaq emocionale dhe kaotike si në duelet e mëparshme. “Nuk është e lehtë të mbash veten nën kontroll gjatë 90 minutave kur bëhet përsëri kaq emocionale. Graniti duhet të qëndrojë i qetë, të luajë futboll, të fitojë dhe të injorojë provokimet. Është e lehtë të thuash, por në fund gjithçka ka të bëjë me këtë: të luash ndeshje futbolli dhe të fitosh”.
“Granit Xhaka perceptohet si provokator”
Federata Zvicerane e Futbollit dëshiron ta mbajë këtë çështje sa më të vogël që të jetë e mundur. “Këto janë histori të vjetra. Është një lojë si çdo tjetër”, thotë drejtori i Nati, Pierluigi Tami. Mendimi është i ngjashëm nëse pyet futbollistët në Zvicër. “Pres një ndeshje normale futbolli dhe mendoj se të dyja palët kanë mësuar nga e kaluara”, ka thënë ish-bashkëlojtari i kombëtares zvicerane, Admir Mehmedi.
Në të njëjtën mënyrë e vlerëson situatën edhe kapiteni i klubit Grasshoppers, Amir Abrashi, i cili aktualisht është në kombëtaren shqiptare dhe ka luajtur përkrah Taulant Xhakës në vitin 2014. “Nuk do të jetë aq e nxehtë si në të kaluarën. Përveç kësaj, ka mbetur vetëm Graniti – në dy duelet e fundit shumë është zier edhe rreth Xherdan Shaqirit”, tha Abrashi.
Dhe si e shohin serbët këtë çështje? “Granit Xhaka perceptohet si provokator kur sheh se si është sjellë në ndeshjet e fundit”, thotë gazetari serb i futbollit Velko Ivanoviq i Sportal.rs. Ai përmendi rastet e Xhakës, nga kapja e organit gjenital, fanella e Jasharit në Botërorin e Katarit apo festimi me shqiponjën dykrenare në Botërorin e Rusisë.
Pas dy dueleve mes Serbisë dhe Zvicrës, të cilat kanë bërë mjaft tituj jashtë fushës, serbët janë të mendimit: “Nuk duam të merremi më me gjëra që kanë pak lidhje me futbollin”. Kjo i referohet historisë së familjes Xhaka, për shembull: Prindërit janë me prejardhje kosovare, dhe babai ka qenë dikur në burg për arsye politike në shtetin e atëhershëm multietnik të Jugosllavisë.
Sigurisht që kapiteni i Zvicrës duhet të presë fishkëllima dhe brohoritje të shtunën në stadiumin Duboçica në Leskovc. “Por edhe në Serbi e njohin se çfarë futbollisti i shkëlqyer është Granit Xhaka”, tha Ivanoviq. Trajneri i Serbisë, Dragan Stojkoviq, ka vlerësuar sërish kapitenin e Natit para mediave vendase: “Ai është një lojtar i madh që ka shumë vite që luan në një nivel botëror. E vlerësoj shumë”. /Klankosova.tv