Ky është i arrestuari për mashtrim, e mori ‘Audi’-n e 80 mijë eurove në mirëbesim dhe dyshohet se e shiti

- Bota Sot

Ky është i arrestuari për mashtrim, e mori ‘Audi’-n e 80 mijë eurove në mirëbesim dhe dyshohet se e shiti

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët marrin vetura me qira ose në mirëbesim dhe shkelin marrëveshjet që bëjnë me pronarët për shfrytëzimin e tyre. Shpesh ato automjete nuk kthehen në kohë, shiten, ose ‘zhduken’, çka i detyron ata të kërkojnë ndihmë nga Policia. Për një rast të tillë, Policia ka arrestuar një person në rajonin e Gjilanit.

I dyshuari, rreth 32-vjeçar , përfundoi në prangat e Policisë nën dyshimet për mashtrim dhe i njëjti tashmë ndodhet në mbajte.  

I riu kishte marrë një ‘Audi’ nga një person i njohur në Viti, i cili ia dha në besim veturën që kap vlerën e rreth 80 mijë eurove, që dyshohet se e shiti më pas.  

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari që ra në prangat e Policisë është Riza Rexhepi.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe brenda afatit ligjor pritet të ndërmerren veprimet e tjera.

Sipas informacioneve të para, Rexhepi nuk është deklaruar fare për rastin, duke u mbrojtur në heshtje.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Gjilan.

“Me 21.10.2024 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.” – ka njoftuar Policia.



Lexoni të gjitha në Bota Sot