Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët marrin vetura me qira ose në mirëbesim dhe shkelin marrëveshjet që bëjnë me pronarët për shfrytëzimin e tyre. Shpesh ato automjete nuk kthehen në kohë, shiten, ose ‘zhduken’, çka i detyron ata të kërkojnë ndihmë nga Policia. Për një rast të tillë, Policia ka arrestuar një person në rajonin e Gjilanit.
I dyshuari, rreth 32-vjeçar , përfundoi në prangat e Policisë nën dyshimet për mashtrim dhe i njëjti tashmë ndodhet në mbajte.
I riu kishte marrë një ‘Audi’ nga një person i njohur në Viti, i cili ia dha në besim veturën që kap vlerën e rreth 80 mijë eurove, që dyshohet se e shiti më pas.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari që ra në prangat e Policisë është Riza Rexhepi.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe brenda afatit ligjor pritet të ndërmerren veprimet e tjera.
Sipas informacioneve të para, Rexhepi nuk është deklaruar fare për rastin, duke u mbrojtur në heshtje.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Gjilan.
“Me 21.10.2024 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.” – ka njoftuar Policia.