Rusia tha më 27 tetor se ushtria e saj ka avancuar në lindje të Ukrainës, duke marrë nën kontroll një fshat të frontit të luftës, që gjendet pak kilometra në veri të një qyteti kyç ukrainas, që është nën kontrollin e ushtarëve të Kievit.
Moska për muaj të tërë është duke avancuar në fushëbetejë kundër forcave ukrainase.
Njësitë e ushtrisë ruse, sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, kanë marrë nën kontroll Izmailivkan.
Para se Rusia të niste pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës shkurtin e vitit 2022, Izmailivka kishte afër 200 banorë.
Ky fshat gjendet vetëm 8 kilometra në veri të qytetit kyç industrial të Kurakovas dhe vetëm disa kilometra në veri të Kurakivkas, një qytet i vogël në vijën e frontit që Moska po tenton që ta rrethojë.
Njoftimi u bë vetëm disa orë pasi Rusia pretendoi se kishte rrëzuar 51 dronë të Ukrainës mbi disa rajone të saj, përfshirë edhe pranë kufirit.
Presidenti rus, Vladimir Putin, më 27 tetor paralajmëroi se Moska do të “kundërpërgjigjet” nëse Perëndimi e lejon Ukrainës të përdorë armët me rreze të gjatë veprimi për të kryer sulme thellë brenda Rusisë.
“Është herët që të thuhet, por sigurisht që departamenti i ushtrisë sonë po mendon për këtë dhe do të ofrojë disa lloje të kundërpërgjigjes”, tha Putin.
Për muaj të tërë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po kërkon nga partnerët e tij perëndimorë që t’i japin leje për të përdorur raketat me rreze të gjatë veprimi për të kryer sulme thellë brenda territorit rus. Zelensky ka argumentuar se sulme të tilla do të përshpejtonin përfundimin e luftës.
Putin ka deklaruar paraprakisht se nëse Ukrainës i mundësohet që të përdorë armët perëndimore me rreze të gjatë për të sulmuar territorin rus, kjo do të bënte që NATO-ja të ishte “në luftë” me Moskën. Putin tha të dielën se shpreson që Perëndimi e ka dëgjuar këtë paralajmërim./REL