Përmbytjet në Valencia, mes viktimave foshnja 3 muajshe dhe mamaja e saj/ Historia e trishtë

- Bota Sot

Përmbytjet në Valencia, mes viktimave foshnja 3 muajshe dhe mamaja e saj/ Historia e trishtë

Antonio Tarazona, 59 vjeç, u përpoq të shpëtonte gruan dhe vajzën e tij 3-muajshe, nga përmbytja e tmerrshme. Por ai u rrëmbye nga uji dhe humbi nga sytë të dashurit e tij. Foshnja 3-muajshe dhe mamaja e saj humbën jetën në ferrin e përmbytjeve në Valencia.

Antonio po kthehej në banesën e tij, bashkë me gruan dhe vajzën 3-muajshe, pas një vizite që kishte bërë te nëna e tij, kur ata u befasuan nga stuhia në qytetin e Paiporta, një periferi e Valencias (Spanjë).

Përmbytjet po përkeqësoheshin dhe ata nuk mund të shkonin më tej me makinën e tyre. Kështu Antonio doli në orën 20:30 për të siguruar makinën, ndërsa gruaja e tij Lourdes María García Martín, 34 vjeç dhe vajza Angeline (3 muajshe), u ngjitën në pjesën e sipërme të makinës.

“Rryma filloi të tërhiqte makinën. Gjëja e fundit që pashë ishte që ata bënin thirrje për ndihmë nga çatia e makinës”, përshkruan ai në ” El Pais”.

Shenja e fundit e jetës nga Lourdes erdhi në orën 20:50. Në ankth të madh, ajo mori në telefon shoqen e saj Clara Andrés, duke i thënë: “Kam shumë frikë. Sapo pashë Antonion të zhdukej në errësirë. Do të duroj sa më gjatë”, shkruan “ El Mundo ”.

Lourdes gjithashtu i kërkoi asaj që të kujdesej për dy fëmijët e saj të mëdhenj, Sofia 10 vjeç dhe Bajix 13 vjeç.

Ndërsa Antonio u gjet dhe u shpëtua, nuk kishte asnjë gjurmë të gruas dhe vajzës së tij. Derisa një oficer policie i gjeti të dy të pajetë në makinën e tyre në orën 22:00 të mërkurën dhe u dha lajmin e hidhur të afërmve të gruas venezueliane, e cila jetonte në Spanjë prej pesë vitesh.

Miqtë e Lourdes shkruan në rrjetet sociale: “Fatkeqësisht sapo kemi marrë konfirmimin se Lourdes dhe foshnja janë gjetur të vdekur. Ka edhe dy engjëj të tjerë në parajsë sot”.

Të paktën 205 persona janë raportuar zyrtarisht të vdekur deri më tani – dhe numri vazhdon të rritet. Ka shumë persona të prekur që janë ende në kërkim të të afërmve të tyre të zhdukur.



Lexoni të gjitha në Bota Sot