Në pikën e përbashkët kufitare të Morinës është rikthyer procedura e thjeshtëzuar për kalimin e kufirit pa kontrolle për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe automjetet me targa të Shqipërisë dhe Kosovës.
Procedura është e vlefshme vetëm për fundjavat dhe ditët e festave, të paktën deri në datën 1 mars të vitit të ardhshëm.
Burime në policinë kufitare pohojnë se kjo procedurë e thjeshtëzuar sipas protokollit ndërqeveritar u rikthye pas një ndërprerjeje nga data 1 deri më 31 tetor.
Ndërsa nga data 1 mars hyn në fuqi sërish procedura pa kontrolle për kategoritë e mësipërme për një periudhë nëntëmujore, e cila u aplikua këtë sezon turistik.
Kjo edhe për shkak të numrit të automjeteve me targa të huaja, të cilat u nënshtrohen kontrolleve.
Policia kufitare punoi me katër sportele. Gjatë orëve të para të ditës në territorin e Shqipërisë kanë hyrë më shumë se 2.100 automjete me rreth 3.800 shtetas. I njëjti fluks lëvizjeje është regjistruar edhe në dalje të Shqipërisë për në Kosovë.