Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, i ka falur persona që e sulmuan javë më parë.
Kjo u bë e ditur dje nga avokati i Muhaxherit, Dukagjin Kerveshi.
Ai tha se kjo u bë me ndërmjetësimin e Xhavit Halitit dhe Vehbi Shalës.
“Me kërkesën e familjarëve të sulmuesve dhe me ndërmjetësimin e miqëve z. Xhavit Haliti dhe z.Vehbi Shala, sot pas një takimi të kërkuar nga familjarët e sulmuesve, Kryetari i Pejës, z. Gazmend Muhaxheri ka vendosur që t’i fal sulmuesit per sulmin ndaj tij. Drejtësia të bëjë punën e saj, por kryetari Gazmend Muhaxheri nuk do ti ndjek të njëjtit penalisht në procedurë penale dhe se heq dorë nga kërkesat eventuale pasurore ndaj tyre në procedurë gjyqësore. Duke respektuar miqët që kanë fasilituar komunikimin, kryetari Muhaxheri ka vendosur si më lartë. Andaj, me autorizimin e kryetarit Muhaxheri njoftojmë gjitha palët e interesuara se z Muhaxheri i ka falur të njëjtit”.
Në lidhje me këtë ka reaguar ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.
Ai përmes një postimi në Facebook, shkruan se, LDK-ja dikur e akuzonte Halitin si dirigjent të vrasjeve politike, ndërsa tash po e thërrasin për ndërmjetësim me i pajtu ndër veti.
“Dikur Xhavit Halitin, LDK-ja e akuzonte si dirigjent i të gjitha vrasjeve politike, të zyrtarëve të LDK-së, ndërsa tash në Kosovë e shqiptari, LDK-ja e ish-komunistave po e thërrasin si ndërmjetësues me i pajtua ndër veti. Bravo Zekë, shumë e vërtet, se po më dalin fjalët e tua. Ju i pasni njohur këta informatorët e juaj institucionalistat e LDK-së ma mirë se unë, e pranoj se isha shumë gabim”, ka shkruar Miftari.