BE mblidhet në Bruksel: “Kujdes kush mbështet Rusinë”, shënjestrohet Kina!

- Bota Sot

BE mblidhet në Bruksel: “Kujdes kush mbështet Rusinë”, shënjestrohet Kina!

Ministrat e jashtëm të BE-së u mblodhën në Bruksel me në fokus luftën e Ukrainës dhe vendimin e SHBA-së për t’i lejuar Kievit përdorimin e raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi dhe në territorin rus. Kreu në largim i diplomacisë europiane, Josep Borrell shprehu shqetësim edhe për rolin në rritje të Kinës në luftën në Ukrainë.

Sipas tij vihet re një rritje e furnizimeve kineze sidomos me të ashtuquajtura mallra me përdorim të dyfishtë – pra që mund të përdoren si për qëllime paqeje ashtu edhe për qëllime lufte.

“Pa Korenë e Veriut, pa Iranin, pa Kinën, Rusia nuk do të mund t’i vazhdonte përpjekjet e saj ushtarake. Njoftimet se këto tri vende e furnizojnë Rusisë me sisteme të plota armësh, janë shqetësuese”.

Në prag të takimit u bë e ditur se BE-ja kishte marrë raporte nga shërbimet sekrete për një fabrikë armësh në Kinë, e cila mendohet se e furnizon Rusinë me dronë për luftën kundër Ukrainës. Një zyrtar i lartë i BE-së, tha megjithatë se për këtë ende nuk ka prova të qarta. Brukseli mendon se është e pamundur që një kompani e tillë të mund të veprojë pa dijeninë e lidershipit kinez.

Megjithatë, kjo është hedhur poshtë nga Pekini. Megjithatë ministrat e Jashtëm të BE-së po mendojnë tani për të ndërmarrë hapa më të ashpër kundër Kinës. “Ndihma kineze me dronë” duhet dhe do të ketë pasoja, tha ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock. Homologja e saj finlandeze, Elina Valtonen, bëri të qartë se nuk mund të ketë më “business as usual” në tregtinë me Kinën nëse rezulton se vendi po komprometon sigurinë e Europës.

Ministrat e Jashtëm të BE-së e përshëndetën nga ana tjetër vendimin e SHBA-së për raketat. Përveç SHBA-së Ukrainën e kanë furnizuar me raketa me rreze të gjatë veprimi edhe Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, por deri tani asnjë vend nuk e ka lejuar zyrtarisht Ukrainën t’i përdorë ato për të sulmuar objektiva ushtarakë në territorin rus.



Lexoni të gjitha në Bota Sot