Gjatë këtyre ditëve kemi përpara dy qendra të thella me presion të ulët atmosferik apo dy fronte të fuqishme, të cilat do të shkaktojnë edhe destabilizim të fuqishëm të motit. E para parashihet të arrijë në orët e mbrëmjes të së mërkurës, ndërsa fronti i dytë në mbrëmjen e së premtes.
Përndryshe, dita e mërkurë do të karakterizohet me diell e vranësira, ku gjatë pasditës dhe mbrëmjes pritet shtim i vranësirave dhe intensifikim i reshjeve, të cilat lokalisht do të jenë në formë të rrebesheve, të shoqëruara me ndonjë vetëtimë dhe bubullimë.
Pra, reshjet fillimisht do të nisin në formë të shiut, ndërsa me ardhjen e frontit të ftohtë në mbrëmje, pritet të shndërrohen në ato të borës, të cilat pas mesnate, pritet të përfshijnë një pjesë më të madhe të vendit. Në mëngjes pushojnë të reshurat.
Dita e enjte do të vazhdojë me vranësira të shpeshta dhe intervale me diell. Vonë në mbrëmje, gradualisht do të kemi rikthimin e reshjeve të shiut, kryesisht të përqëndruara në Rrafshin e Dukagjinit. Reshjet në formë të shiut do të jenë si pasojë e masave të ngrohta dhe fuqizimit të erërave nga drejtimi i jugperëndimit.
Të premten, mot i vranët dhe fillimisht me reshje shiu, ndërsa gjatë orëve të pasditës dhe mbrëmjes, do të arrijë fronti i ftohtë, ku reshjet e shiut do të shndërrohen në ato të borës në pjesën dërrmuese të vendit, sidomos pas mesnate. Reshjet para ose/dhe gjatë kalimit të frontit të ftohtë, pritet të shoqërohen edhe me ndonjë vetëtimë dhe bubullimë.
Të shtunën, pas reshjeve të borës gjatë orëve të para të 24-orëshit, dita do të vijojë me diell e vranësira të pakta por mjaft e ftohtë, si pasojë e masave të ftohta me origjinë polare. Temperaturat pritet të ulen rreth -10°C, ndërsa maksimalet rreth vlerës 0°C.
Temperaturat minimale do të lëvizin prej -10 deri në 7°C, ndërsa ato maksimale prej 1 deri në 16°C. Vlerat më të larta maksimale parashihen të mërkurën dhe të premten, ndërsa më të ulëta të enjten dhe në fundjavë, njofton MeteoKosova percjell Gazeta e Prizrenit.