Në mbledhjen e 275-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të hënën janë konfirmuar kandidatët për Kryeprokurorë në pesë Prokurori Themelore dhe atë: Prokurorinë Themelore në Ferizaj, Prokurorinë Themelore në Pejë, Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe Prokurorinë Themelore në Prizren.
Kandidatët për Kryeprokuror të Apelit janë: prokurori Agron Bajrami, Arben Ismaili, Ikramije Bojaxhiu, Sebahate Sinani, Sheribane Selimi- Muçaj dhe Shkelzen Ibrahimi.
Kush janë kandidatët për Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Ferizaj?
Për këtë pozitë, kanë aplikuar dy kandidatë: Burim Çerkini dhe Ismet Rrahmani, për të cilët kryesuesi Ardian Hajdaraj bëri të ditur se i plotësojnë kriteret ligjore.
Konfirmim i këtyre kandidatëve u bë me votat e të gjithë anëtarëve të Këshillit.
Kush janë kandidatët për Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Pejë?
Për pozitën e Kryeprokurorit të Pejës, kanë aplikuar tre kandidatë: Ersan Qavolli, Lumturije Vuçetaj dhe Sanije Gashi-Seferi.
“Erasn Qavolli, Lumturije Vuçetaj dhe Sanije Gashi-Seferi dhe po ashtu këta kandidatë i plotësojnë kriteret ligjore”, tha kryesuesi Hajdaraj.
Konfirmim i këtyre kandidatëve u bë në mbledhjen e së hënës, me votat e dhjetë anëtarëve të KPK-së dhe një abstenim.
Hajdaraj njoftoi se një kandidate, konkretisht prokurorja Sahide Gashi nuk është konfirmuar nga Komisioni Vlerësues si kandidate, me arsyetimin se një vlerësim e ka pasur të mjaftueshëm.
Kush janë kandidatët për Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë?
Kryesuesi Hajdaraj bëri të ditur se këta kandidatë i plotësojnë kriteret ligjore, andaj konfirmimi i tyre u bë me votat e të gjithë anëtarëve të KPK-së.
Po ashtu, për këtë pozitë ka kandiduar edhe prokurori Nijazi Gashi, por nuk i kishte plotësuar kriteret e konkursit.
Prokuroria Themelore në Gjilan me vetëm një kandidat për Kryeprokuror
Në mbledhjen e 275-të të KPK-së, u bë e ditur se vetëm një kandidat ka aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe ai është Arben Kadriu.
“Ky kandidat i plotëson kriteret ligjore”, tha kryesuesi Ardian Hajdaraj.
Konfirmimi i Kadriut si kandidat, u bë me votat e të gjithë anëtarëve të Këshillit.
Edhe Prokuroria Themelore në Prizren me vetëm një kandidat për Kryeprokuror
Sikurse për Prokurorinë e Gjilanit, edhe për atë të Prizrenit ka aplikuar vetëm një kandidat, i cili është Petrit Kryeziu dhe që u konfirmua me votat e të gjithë anëtarëve të KPK-së.
Kryesuesi Hajdaraj tha se Kryeziu i plotëson kriteret ligjore që parashihen në këtë konkurs.