Pogba “amniston” vëllain

- Bota Sot

Pogba “amniston” vëllain

Paul Pogba, i dyshuar si “viktimë” e shantazhit dhe pengmarrjes nga një grup të njohurish të tij, ka kërkuar 50.000 euro dëmshpërblim moral. Gjithashtu ka kërkuar që 5 nga të akuzuarit, mes të cilëve nuk përfshihet vëllai i tij, Mathias, t’i kthejnë ato që sipas tij janë shpenzuar nga llogaria e lojtarit francez (rreth 200.000 euro).

Pa praninë e mesfushorit francez, 31 vjeç, në seancën gjyqësore, avokatja e tij përjashtoi Mathias, sepse “nuk kishte përfituar nga blerjet dhe dhuratat që Pogba iu ka bërë miqve të tij, të cilat arrijnë në 197.000 euro”.

Mesfushori francez është pa ekip që pas ndërprerjes së kontratës me Juventusin, e cila u bë efektive më 1 dhjetor. Në prag të njoftimit të dënimeve të mundshme nga Prokuroria për 6 të akuzuarit, Mathias Pogba ia ka deleguar përgjegjësinë për shantazhin ndaj vëllait Roushdane K., 39 vjeç, i vetmi që ndodhet në paraburgim.

Vëllai më i madh i kampionit të botës më 2018 kujtoi videon e famshme që publikoi në gusht 2022, ku fliste për “zbulime befasuese” mbi mesfushorin dhe Kylian Mbappé, për të cilin thuhet se Pogba i kishte bërë magji me ndihmën e një magjistari. “Sot mund të them se, indirekt, më ushtruan presion për ta bërë atë video”, – komentoi Mathias, duke ia atribuar këtë presion Roushdane K.

Ky njeri, që ka të paktën 7 precedentë penalë, akuzohet së bashku me Adama C. (33 vjeç), Boubacar C. (35), Mamadou M. (30) dhe Mohamed Machikour K. (36) për akuzat e pengmarrjes, bashkimit të kriminelëve dhe shantazhit në disa episode që ndodhën gjatë vitit 2022.

Mathias Pogba (34 vjeç), vëllai më i madh i Paul, që e filloi karrierën e tij të ndërprerë te Celta Vigo (Spanjë), po gjykohet për dy akuza; përpjekje për shantazh dhe bashkim të kriminelëve, por jo për kidnapim me armë zjarri, akuza më e rëndë, që ndodhi në mars të vitit 2022.

Gjashtë të akuzuarit supozohet se kanë marrë pjesë në një skemë për të shantazhuar Pogba, duke i kërkuar atij 13 milionë euro për të garantuar sigurinë e tij. Të gjithë ata, pjesëtarë të rrethit të ngushtë të mesfushorit nga Roissy-en-Brie (zonë afër Parisit), kanë pretenduar se kanë vepruar nën presionin e një grupi të tretë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot