“Mercenarë të huaj” në regjimin e Sllobodan Millosheviqit në vitet ’90, sot “agjentë të ndikimit të huaj”.
Etiketimi si “agjent i huaj” mund të bëhet detyrim ligjor për sektorin joqeveritar në Serbi, nëse Parlamenti në këtë vend miraton aktin e propozuar për agjentët e ndikimit të huaj.
Sofija Todoroviq nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo organizatë nuk do të pranonte të përdorte një etiketim të tillë.
“Dakordimi me këtë lloj shtypjeje nuk do të ishte opsion”, thotë ajo.
Ligji i propozuar për regjistrimin e posaçëm të agjentëve të ndikimit të huaj përcakton si “agjente të huaja” të gjitha shoqatat dhe organizatat jofitimprurëse, të cilat financohen kryesisht nga jashtë, për qëllime të ndikimit politik.
Këtë propozim e dërguan në procedurë parlamentare deputetët e Lëvizjes Socialiste - themelues i së cilës është nënkryetari prorus i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vulin.
Ligji për agjentët e huaj - që ndjek modelin e Rusisë, për të heshtur kritikat ndaj qeverisë dhe për të kufizuar punën e aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe të mediave të pavarura - është miratuar ose propozuar edhe në disa vende të tjera, përfshirë edhe të Ballkanit.
Në Lëvizjen Socialiste, megjithatë, thonë se model i tyre ishte Akti Amerikan i Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA) i vitit 1938 dhe jo ai rus.
Lëvizja Socialiste dhe themeluesi i saj, Aleksandar Vulin, janë prej vitesh partnerë të Partisë Përparimtare Serbe në pushtet dhe të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Kjo parti nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse do ta mbështeste këtë ligj, ndërsa Vuçiq u tha gazetarëve se as Qeveria dhe as shumica parlamentare nuk janë propozuese të tij.
“Po të donte Qeveria, ajo do ta kishte propozuar. Por, do të ketë diskutime për të, kështu që do të bëhet e qartë se kush çka mendon”, tha Vuçiq.
Ai, po ashtu, tha se nuk i ka kushtuar rëndësi faktit që ky ligj është dorëzuar, pasi, siç u shpreh, ai nuk ka pasur ndonjë rëndësi të veçantë për të.
Vulin dha dorëheqje nga Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës e Serbisë (BIA) në nëntor të vitit 2023, disa muaj pasi Shtetet e Bashkuara e vendosën në listë të sanksioneve, për shkak të lidhjeve me Rusinë, ndër të tjera.
Kur u formua Qeveria e re e Serbisë në muajin maj, ai u bë nënkryetar i saj, i ngarkuar me bashkëpunimin me vendet e BRICS-it - një grupim ku bën pjesë edhe Rusia.
Çfarë thotë ligji i propozuar?
Agjente të ndikimit të huaj, sipas ligjit të propozuar serb, janë të gjitha organizatat joqeveritare që financohen kryesisht nga shtete të tjera, organizatat ndërkombëtare dhe të huaja, shtetas të huaj ose organizata të regjistruara joqeveritare që financohen nga jashtë.
Si agjente të ndikimit të huaj klasifikohen edhe organizatat jofitimprurëse, të cilat janë të angazhuara në aktivitete politike, me synim rrezikimin e demokracisë, cenimin e integritetit të Serbisë, shkeljen e lirive dhe të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe nxitjen e urrejtjes dhe jotolerancës kombëtare, racore ose fetare.
Deputeti i Lëvizjes Socialiste, Gjorgje Komlenski, i cili është një nga dy propozuesit e ligjit, thotë për Radion Evropa e Lirë se masa është e nevojshme, në mënyrë që qytetarët “ta kenë një ide se me çfarë motivesh dikush thotë dhe bën diçka”.
“Shumë organizata joqeveritare janë kthyer në një seksion lobuesish - të financuar shumë mirë - për interesat e huaja”, sipas tij.
I pyetur nëse shteti merr para edhe nga fondet e huaja, Komlenski thotë se shteti i shfrytëzon ato mjete në përputhje me interesat e tij, ndërsa sektori joqeveritar “sipas detyrave të atyre që i ndajnë ato mjete”.
Projekt-ligji parashikon, gjithashtu, që në çdo paraqitje të përfaqësuesve të “agjentëve të ndikimit të huaj”, të shënohet se organizata është e regjistruar në Regjistrin e agjentëve me ndikim të huaj, i cili drejtohet nga Ministria e Drejtësisë.
Në rast të mosrespektimit të detyrimit për t’u shënuar si “agjent i huaj”, ligji i propozuar parashikon dënime si: ndalim të kryerjes së punës dhe kallëzim penal ndaj personave përgjegjës.
Masa parasheh edhe gjoba nga 5.000 dinarë (rreth 42 euro) deri në 2.000.000 dinarë (rreth 17.000 euro).
Në shpjegimin për propozim-ligjin thuhet se në Serbi ka shoqata qytetare, të cilat “punojnë hapur kundër interesave shtetërore dhe kombëtare të Serbisë”.
Përkrahësit e tij besojnë se qëllimi i veprimit të tyre lidhet me destabilizimin e shtetit, në mënyrë që Serbia “të detyrohet ta njohë pavarësinë e Kosovës, të pajtohet me shpërbërjen e Republikës Sërpska dhe të vendosë sanksione kundër Rusisë”.
I pyetur nëse ligji rus ishte model, Komlenski thotë se ai nuk është rus, por amerikan.
“Jo, më besoni, as që e kam lexuar atë ligj. Një nga motivet e mia ishte ligji FARA në SHBA i vitit 1938, por mendoj se ky është një version edhe më i butë i asaj që ai ligj u mundëson autoriteteve në SHBA”, thotë Komlenski.
FARA, megjithatë, i përkufizon “agjentët e huaj” si individë që veprojnë nën drejtimin e vendeve të huaja, angazhohen në aktivitete politike, mbledhin para ose veprojnë nën drejtimin e eprorëve, në kontakt me autoritetet amerikane.
Ligji FARA u krijua në vitin 1938 me qëllim shtypjen e propagandës naziste dhe më vonë bolshevike.
Me rishikimet e mëvonshme, ligji ka në shënjestër pastrimin e parave, korrupsionin, terrorizmin dhe anashkalimin e sanksioneve.
Paralajmërimet nga Brukseli dhe Uashingtoni
Në Komisionin Evropian thonë për Radion Evropa e Lirë se çdo projekt-ligj duhet të jetë në përputhje me standardet evropiane.
“Ju kujtojmë se çdo ligj i një vendi kandidat për anëtarësim në BE, duhet të jetë në përputhje me vlerat themelore demokratike të BE-së, përfshirë lirinë e fjalës dhe të shprehjes”, thuhet në përgjigje.
Para se të bëhet anëtar i BE-së, një vend kandidat duhet t’i harmonizojë ligjet, politikat, institucionet dhe praktikat e tij me standardet dhe kërkesat e BE-së.
Serbia dhe Mali i Zi janë lidere në Ballkanin Perëndimor sa i përket procesit të anëtarësimit në BE.
Nga Departamenti amerikan i Shtetit thonë gjithashtu për REL-in se janë thellësisht të shqetësuar për implikimet që ligji i propozuar për agjentët e huaj në Serbi, mund ti ketë mbi demokracinë, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, përfshirë lirinë e shprehjes dhe organizimit.
“Një ligj i tillë mund ta ngushtojë hapësirën për veprim të shoqërisë civile, ti stigmatizojë organizatat e shoqërisë civile që punojnë për të përmirësuar jetën e qytetarëve serbë dhe ta pengojë punën e mediave të pavarura që ofrojnë informacione të sakta për publikun”, thuhet në përgjigje.
“Një ligj i modeluar sipas atij të Putinit, për ta heshtur sektorin civil”
Sofija Todoroviq nga YIHR-ja thotë se ligji bazohet në pretendimet se ka elemente që e destabilizojnë vendin, edhe pse për to nuk ka aktvendime gjyqësore apo informacione të vërtetuara, përveç indikacioneve dhe deklaratave të zyrtarëve të caktuar.
“Qëllimi është represioni”, thotë ajo, duke shtuar se transparenca e financimit të organizatave joqeveritare, tashmë ekziston.
“Një ligj i tillë do të kontribuonte në etiketimin shtesë të shoqatave të qytetarëve dhe në paraqitjen e njerëzve që punojnë në organizata civile si armiq”, sipas saj.
Me të pajtohet edhe Sonja Biserko nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.
Ajo thotë se me këtë ligj “do t’u tregohen dhëmbët të gjithë atyre që mendojnë ndryshe dhe janë kryesisht proevropianë”.
“Është një ligj i ngjashëm me atë të [presidentit rus, Vladimir] Putin dhe ka për synim ta heshtë, ta bëjë të pakuptimtë dhe ta margjinalizojë sektorin civil, që merr donacione nga jashtë, që është kritik dhe që përfaqëson vlerat liberale, ndaj të cilave ata kanë qenë gjithmonë kundër”, thotë Biserko.
Ajo pret që Bashkimi Evropian të mos e lejojë miratimin e ligjit.
Stradner: Iniciativa në Serbi dallon nga ligji amerikan FARA
Ivana Stradner, bashkëpunëtore e Fondacionit joqeveritar për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington, thotë për Radion Evropa e Lirë se është e rëndësishme të bëhet dallimi midis ligjit FARA në SHBA dhe iniciativës në Serbi, e cila, sipas saj, "është e frymëzuar nga ligji i Putinit për agjentët e huaj".
Ajo thotë se Kongresi amerikan e miratoi FARA-n në vitin 1938, në kuadër të luftës kundër propagandës naziste, përkatësisht për ti ekspozuar firmat lobuese që përfaqësonin interesat e Gjermanisë naziste.
“Ndryshe nga kjo, përkrahësit e ligjit serb për agjentët e huaj shpesh përmendin financimin e organizatave joqeveritare nga Perëndimi dhe se si Perëndimi dëshiron të organizojë një revolucion me ngjyra”, thotë ajo.
Stradner shton se nuk është e sigurt se ky ligj do ti shënjestronte njerëzit që punojnë drejtpërdrejt me Moskën ose Pekinin.
Po sipas saj, ligji i propozuar duket se është pjesë e një loje politike, në të cilën Vulin propozon vendime "joracionale", kurse Vuçiq heq dorë prej tyre dhe, në këtë mënyrë, "i bën nder Perëndimit".
Si zbatohet Ligji për agjentët e huaj në Rusi?
Ligji rus që kërkon nga organizatat që marrin para nga jashtë, të regjistrohen si “agjente të huaja”, u prezantua në vitin 2012 dhe u zgjerua në vitin 2022.
Objektiv i parë ishin organizatat joqeveritare, e që nga viti 2017 edhe gazetarët e mediat, përfshirë Radion Evropa e Lirë.
Andrej Shary, drejtor për rajonin rus në Radion Evropa e Lirë, thotë se Ligji për agjentët e huaj nënkupton që çdo mundësi për veprim e shoqërisë civile, që nuk korrespondon me kërkesat e qeverisë, të bëhet e pamundur.
“Sipas interpretimit të Qeverisë ruse dhe publikut patriot, ‘agjentë të huaj’ janë njerëzit që punojnë kundër interesave të atdheut të tyre, mercenarët e Perëndimit, spiunët amerikanë apo gjermanë”, thotë Shary.
Sipas tij, disa mijëra persona janë shpallur tashmë agjentë të huaj dhe shumica e tyre janë larguar nga Rusia.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut konstatoi në muajin tetor se Ligji rus për agjentët e huaj shkel Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është “arbitrar” dhe përdoret në “një mënyrë të gjerë dhe të paparashikueshme”.
Ligji kërkon që ata për të cilët zbatohet, për shembull gazetarët, ta vënë etiketën “Unë jam agjent i huaj” në çdo artikull apo postim të vetin në rrjetet sociale.
Nëse refuzojnë ta bëjnë këtë, pasojnë dënimet.
“Ndodh ajo që i ka ndodhur edhe Radios Evropa e Lirë. Për të gjitha projektet në gjuhën ruse ne kemi marrë gjoba deri në 18 milionë dollarë”, thotë Shary.
Në rast të mospagesës së gjobave, autoritetet i bllokojnë llogaritë bankare, ndërsa nuk përjashtohet as përgjegjësia penale.
Në vitin 2017, Shërbimi rus i Radios Evropa e Lirë u fut në listën e agjentëve të huaj.
Në shkurt të këtij viti, ai u shpall “organizatë e padëshirueshme” në Rusi, gjë që, praktikisht, e ndalon atë të punojë në atë vend, ndërsa kushdo që bashkëpunon me të, mund të ndiqet penalisht.
Çfarë do të thoshte për Serbinë miratimi i Ligjit për agjentët e huaj?
Profesori i së Drejtës Kushtetuese në Serbi, Bogolub Millosavleviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se Ligji për agjentët e huaj është diçka që mund t’i përshtatet Rusisë, Bjellorusisë, Koresë së Veriut dhe disa regjimeve të vjetra komuniste.
“Pra, diçka që është krejtësisht e vjetruar, diçka që nuk mund t’i përshtatet një vendi që dëshiron të ketë sadopak demokraci”, thotë ai.
Duke komentuar etiketimin “agjent i huaj”, ai thotë se një praktikë e ngjashme ka ekzistuar edhe gjatë sundimit të ish-presidentit të Serbisë dhe Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, gjatë viteve ‘90.
“Ata që punonin për donatorët e huaj, quheshin të gjithë mercenarë të huaj. Tani janë ‘agjentë të ndikimit të huaj’ dhe janë persona që automatikisht etiketohen si armiq të këtij vendi”, thotë Millosavleviq.
Një projektligj i ngjashëm për agjentët e huaj ekziston në Mal të Zi që nga tetori, por nuk ka hyrë në procedurë parlamentare.
Ai është propozuar nga koalicioni “Për të ardhmen e Malit të Zi”, i cili përbëhet nga partitë proruse të ish-Frontit Demokratik (DF) - Demokracia e Re Serbe e Andrija Mandiqit dhe Partia Popullore Demokratike e Millan Knezheviqit.
Ky propozim është kritikuar nga partnerët e koalicionit në Mal të Zi, si dhe nga opozita, shoqëria civile dhe Bashkimi Evropian.
Në maj, autoritetet në Republikën Sërpska - njërin prej dy entiteteve të Bosnje e Hercegovinës - e kanë tërhequr ligjin e planifikuar për agjentët e huaj nga procedura dhe e kanë kthyer për rishikim, pas një sërë kritikash nga komuniteti ndërkombëtar, mediat dhe sektori joqeveritar.
Masa është paraqitur në vitin 2022 nga Millorad Dodiku, president i Republikës Sërpska dhe udhëheqës i Aleancës së Social-Demokratëve të Pavarur, i cili është nën sanksione nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe për shkak të veprimeve jokushtetuese.
Këtë vit, ligje që synojnë ta frenojnë ndikimin e organizatave joqeveritare, janë miratuar në Gjeorgji dhe në Kirgizi - të dyja ish-republika sovjetike.
Në Gjeorgji, ligji është miratuar pavarësisht protestave të qytetarëve dhe ka vënë në pritje integrimin evropian, si dhe ka ndërprerë mbështetjen financiare nga BE-ja.
As Bashkimi Evropian nuk është i kursyer nga këto metoda jodemokratike, ndaj në Hungari tashmë është në fuqi Ligji për mbrojtjen e sovranitetit dhe një zgjidhje e ngjashme është duke u planifikuar edhe në Sllovakinë fqinje./REL