Një rast jo fort i zakontë është raportuar të hënën në Gjakovë, ku Policia ka prangosur dy persona, njërin për kanosje e armë ilegale dhe tjetrin për pengim të zyrtarëve policorë.
Gazeta Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se dy të dyshuarit që u prangosën janë Minator Avdijaj dhe Hysen Avdijaj, të cilët tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.
I dyshuari Minator Avdijaj ishte ai që alarmoi Policinë duke dhënë një paralajmërim të rrezikshëm se do ta vrasë një person.
Thirrja e tij çoi në këmbë Policinë dhe menjëherë u ndërmorën veprimet e nevojshme, ku si rezultat patrulla policore arriti në vendin e ngjarjes dhe e arrestoi.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e hetimit për veprat “Kanosja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Kurse i dyshuari tjetër, Hyseni, është dërguar në mbajtje për veprën penale “Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, pasi dyshohet se e ka penguar Policinë për ta arrestuar Minatorin.
Lexo edhe:
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se përkundër pengesave, Policia ka arritur ta fus situatën nën kontroll dhe ka prangosur edhe të dyshuarin tjetër.
Bazuar në informacionet e para, të dy të rinjtë kanë qenë në gjendje të dehur.
Në vendngjarje, njësia policore ka arritur që të gjejë një armë, boks hekuri e thikë, që janë sekuestruar si prova materiale.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.