Homazhi për Nijazi Bytyqin rikthen në kujtesë tingujt legjendarë dhe prezanton vlerat muzikore të djemve të tij

- Gazeta e Prizrenit

Homazhi për Nijazi Bytyqin rikthen në kujtesë tingujt legjendarë dhe prezanton vlerat muzikore të djemve të tij

Trashëgimia muzikore e Nijazi Bytyqit, njërit prej nismëtarëve të muzikës pop-rock në Kosovë, është shpalosur të premten mbrëma në “Autostrada Hangar 2” në Prizren. Aty është promovuar albumi që përfshin një përmbledhje të 22 këngëve ikonike nga tre grupe legjendare: “Marimangat”, “Therandosët” dhe “Lunijazët”.

Kjo hapësirë e artit bashkëkohor në të njëjtën kohë është shndërruar në sallë koncertale, ku dy djemtë e muzikantit të ndjerë, kitaristët Elvisi dhe Gjuliani kanë ekzekutuar programin me veprat si në vijim:

Isaac Albéniz (1860-1909), Mallorca (Barcarola) (arr. Konrad Ragossnig);

Joaquin Malats (1872- 1912) Serenata Española (arr. Milena Valcheva);

Enrique Granados (1867-1916) Danza Española no. 2 – “Oriental”;

Enrique Granados (1867 – 1916) Danza Española no. 5 -“Andaluza” (arr. Hans-Gerhard Frey)’

Isaac Albéniz (1860-1909) Astúrias (Leyenda) (arr. Elvis Bytyqi) dhe

Stanley Myers (1930-1993) Cavatina.

Pas performancës muzikore përmes pamjeve në ekran është paraqitur intervista e shkurtër e Nijazi Bytyqit dhe kënga “Vogëlushja Keti” e grupit “Marimangat”.

Në të njëjtën kohë, prezantuesi Edis Galushi para publikut ka lexuar biografinë e Nijazi Bytyqit, duke veçuar momentet kryesore të krijimtarisë së tij artistike, raporton Telegrafi.

Në mbrëmjen e homazhit për muzikën që ka shënuar breza dhe vazhdon të frymëzojë artistë të rinj, është vënë në pah edhe rëndësia e dokumentimit.

“Këtë ide e kemi pasur që prej kohës së studimeve. Kemi dëgjuar shumë rrëfime prej njerëzve për historinë e Nijazi Bytyqit, historinë e këtyre grupeve, por nuk ka pasur një përmbledhje konkrete. Kanë qenë disa incizime në Youtube, nuk ka pas as biografi. Ne jemi munduar të gjitha këto me i përmbledhë”, ka thënë Gjulian Bytyqi para të pranishmëve.

Tutje ka sqaruar procesin e mbledhjes dhe përpunimit të materialeve muzikore.

“Së pari i kemi mbledhur këngët. Disa i kemi pasur në arkivin tonë, por disa i kemi marrë në arkivin e Prishtinës, me shumë sfida. Materialet i kemi dërguar në Gjermani, janë shtyp, janë pastruar, janë rregulluar në mënyrë profesionale. Dhe kështu i kemi kompletuar këngët që janë në pllakë”.

Ky realizim i mbështetur nga MKRS, sipas tij, i dedikohet babait të tyre, bashkëpunëtorëve të tij dhe Prizrenit.

“Këtë album unë dhe Elvisi ia dedikojmë Prizrenit, kulturës së Prizrenit të viteve 60-ta dhe 70-ta, ia dedikojmë Nijazi Bytyqit si figurë edhe gjithë atyre anëtarëve të grupeve që sot nuk jetojnë më dhe gjithë atyre tjerëve që jetojnë”, ka deklaruar Gjulian Bytyqi.

Mbrëmja është përmbyllur me përjetimin e muzikës së grupeve legjendare “Marimangat”, “Therandosët” dhe “Lunijazët”. Nijazi Bytyqi ka ndërruar jetë në vitin 2018. /Telegrafi/



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit