Koleksion arti që kujton “Urinë e Madhe” që pllakosi Ukrainën nën Stalinin

- Bota Sot

Koleksion arti që kujton “Urinë e Madhe” që pllakosi Ukrainën nën Stalinin

Biznesmeni i ndjerë amerikan, Morgan Williams, ishte tejet i përfshirë në nxitjen e biznesit ukrainas ndërsa drejtonte Këshillin e Biznesit SHBA-Ukrainë. Gjatë kohës që jetoi në Ukrainë, zoti Williams mblodhi vepra arti që lidhen me një nga periudhat më të errëta që kaloi populli ukrainas, “Urinë e Madhe”. Si njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Hanna Tverdokhlib, në fillim të viteve 1930 diktatori sovjetik Josif Stalin shkaktoi një zi buke nga e cila vdiqën miliona njerëz.

Daren Williams dhe Denise Ondrof janë dy nga katër fëmijët e biznesmenit amerikan Morgan Williams. Zoti Willimas ndërroi jetë në muajin qershor pas shumë vitesh në krye të Këshillit të Biznesit SHBA-Ukrainë. Vetëm pas vdekjes së babait të tyre, fëmijët mësuan rëndësinë që kishte patur ai tek shumë ukrainas.

“Pasi rënies së perdes së hekurt, në fund të viteve 1980, babai im filloi të punonte për zhvillimin ndërkombëtar të bujqësisë në ish-republikat sovjetike. Kur e vizitoi Ukrainën ai ra në dashuri me atë vend”, tregon për Zërin e Amerikës Daren Williams, djali i zotit Morgan Williams.

Për vite me radhë, zoti Willimas nxiti biznesin mes Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës. Ai mësoi për atë që njihet si Holodomor, një zi buke e shkaktuar qëllimisht nga diktatori sovjetik, Josif Stalin në vitin 1932, që shkaktoi vdekjen e miliona sovjetikëve nga uria. Ai filloi të mblidhte vepra arti që lidheshin me urinë, duke krijuar një koleksion prej më shumë se 500 artikujsh.

“Ai u dashurua me njerëzit dhe mësoi për Holodomorin ndaj donte ta tregonte atë ngjarje. Ai filloi të mblidhte vepra arti në mesin e viteve 1990. Ai takohej me artistët dhe i inkurajonte ata që të shkruanin dhe që Holodomori të ishte pjesë e artit të tyre për t’i treguar botës këtë ngjarje”, tregon Daren Williams, djali i zotit Morgan.

Koleksioni përbëhet nga rreth 300 piktura, qindra gravura, pamflete, pulla poste dhe dokumente të tjera. Pasardhësit e tij thonë se zoti Williams e kuptonte se njerëzi mund të hezitojnë të blejnë vepra arti që kujtojnë vuajtjet nga uria.

Fëmijët e zotit Willimas, në bashkëpunim me Këshillin e Biznesit SHBA-Ukrainë ia dhuruan koleksionin muzeut kombëtar të Ukrainës për gjenocidin Holodomor në Kiev. Drejtoresha e muzeut planifikon që ta ekspozojë koleksionin për publikun pas përfundimit të luftës.

“Muzeu i ka hequr të gjitha sendet nga vitrinat dhe ka fshehur ato që kanë vlera më të larta. Nuk ka kuptim ekspozimi i sendeve të paçmuara ndërsa Rusia bombardon Ukrainën çdo ditë. Çdo vend mund të goditet në çdo moment”, thotë Lesia Hasydzhak, me Muzeun Kombëtar të Gjenocidit Holodomor.

Ajo thotë se ruajtja e këtij arti historik është bërë edhe më e rëndësishme pasi trupat ruse në disa zona të pushtuara i kanë shkatërruar monumentet që kujtojnë Holodomor-in.

“Ata kanë shkatërruar monumente të tilla në Mariupol, Luhansk, Melitopol dhe Berdyansk…”

Vajza e tij, Denise Ondrof, thotë se një pikturë i është ngulitur në mendje përgjithmonë.

“Një pikturë zë vend të veçantë për të gjithë familjen tonë, sepse artisti ia dedikoi babait. Piktura pasqyron pemën e jetës, por në të vërtetë është pema e vdekjes, me njerëz në trungun e pemës që zgjasin duart, si gjethet e pemës që në fakt ka formën e Ukrainës. Për ne kjo tregon pasionin e babait tonë për Ukrainën dhe veçanërisht absurditetin për të kaluarën e vendit, por edhe emocionet që provokon tek të gjithë të prekurit, çka e bën atë kaq të fuqishme”.

Në kryeqytetin amerikan u zhvillua një ceremoni përkujtimore për zotin Morgan Williams, për të nderuar punën e tij në mbështetje të Ukrainës dhe ruajtjen e historisë së atij vendi./VOA



Lexoni të gjitha në Bota Sot