Edmond Lajçi është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Gjyljeta Ukellës në muajin prill të këtij viti në Pejë.
Vendimi i gjykatës është mirëpritur nga familjarët e Ukellës.
“Gjykata e dha vendimin përfundimtar, i cili na lehtësoi sadopak dhimbjen si familje”, ka deklaruar vëllai i të ndjerës.
Sipas aktakuzës së ngritur më 19 nëntor nga Prokuroria Themelore në Pejë, Lajçi akuzohet se më 16 prill, rreth orës 8 të mëngjesit, ka vrarë bashkëshorten e tij me dashje, duke përdorur një armë zjarri, në banesën e tyre në rrugën “Bill Klinton” në Pejë.
Në aktakuzë theksohet gjithashtu se çifti kishte përjetuar konflikte të vazhdueshme dhe se Lajçi kishte ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes. Po ashtu, në ditën e ngjarjes tragjike, thuhet se i akuzuari, pasi ishte kthyer nga një natë në spital duke u kujdesur për nënën e tij të sëmurë, i kishte kërkuar vajzës së tij të dilte nga banesa për të blerë diçka, me qëllimin që të mbetej vetëm me bashkëshorten.