Laporta mbyll marrëveshjen 100 milionë euroshe me arabët

- Bota Sot

Laporta mbyll marrëveshjen 100 milionë euroshe me arabët

Barcelona do të mund ta regjistrojë këtë të hënë Dani Olmo dhe Pau Víctor, që të vazhdojnë të luajnë me ekipin e parë duke filluar nga muaji janar. Joan Laporta ka arritur shitjen e të drejtave të shfrytëzimit të lozhave VIP të “Camp Nou” për një vlerë prej 100 milionë eurosh, shumë e mjaftueshme për të regjistruar të dy lojtarët dhe për ta futur klubin në rregullin 1:1, duke siguruar kështu mundësinë për të hyrë në tregun e transferimeve si në dimër, ashtu edhe në verë.

Marrëveshja është arritur me disa kompani arabe, me të cilat janë zhvilluar negociatat. Laporta ka punuar për këtë çështje për disa ditë me bashkëpunëtorët e tij në Lindjen e Mesme dhe tani është arritur një marrëveshje përfundimtare. E vetmja gjë që mbetet është realizimi i pagesës së këtyre 100 milionëve, për të cilën po kontaktohen disa kompani që ta përmbushin këtë transaksion.

Sapo të përfitohet ky financim, dokumentacioni përfundimtar do t’i përcillet La Liga-s për miratim, edhe pse kjo e fundit është tashmë në dijeni të lëvizjeve të Barcelonës prej disa ditësh. Klubi blaugrana është konsultuar me La Liga-n për të siguruar që ky sponsorizim do ta vendoste klubin në rregullën 1:1, diçka që nuk u arrit kur u mbyll marrëveshja me “Nike” disa javë më parë.

Kjo qasje për regjistrimin e dy lojtarëve do të realizohet pavarësisht vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, ku u paraqit një padi për të kërkuar masa të përkohshme ndaj vendimit të La Liga-s për të mos regjistruar Olmo dhe Pau Víctor. Kjo zgjidhje financiare garanton rikthimin në rregullën 1:1 për klubin, ndërsa një vendim i favorshëm nga gjykata do të lejonte vetëm regjistrimin e lojtarëve pa kthyer rregullin për transferime.

Mund të ndodhë që, pas finalizimit të marrëveshjes, klubi madje të tërheqë padinë që kishte paraqitur për masat e përkohshme, pasi nuk do të kishte më kuptim të vazhdohej me këtë rrugë, duke qenë se sponsorizimi është një zgjidhje më e fuqishme.

Në këtë mënyrë, klubi katalanas mbyll dy dosje që po shkaktonin kokëçarje serioze për drejtuesit e Barcelonës, si dhe për lojtarët, pavarësisht qetësisë që Laporta iu kishte përcjellë atyre, përfshirë Dani Olmon, i cili po kalonte pushimet në Milwaukee.

Të premten, një gjykatë tregtare refuzoi masat e përkohshme të kërkuara për Olmo, duke lënë një afat prej vetëm katër ditësh për të gjetur zgjidhje. Regjistrimi i dy lojtarëve nuk mund të shtyhej më tej, pasi La Liga nuk lejon që një lojtar të regjistrohet dy herë në të njëjtin ekip brenda një sezoni. Nëse kalonte data 31 dhjetor, të dy futbollistët do të mbeteshin të çregjistruar nga La Liga.



Lexoni të gjitha në Bota Sot