Ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ditën e djeshme iu ngrit aktakuza e dytë nga Prokuroria Speciale. Me dy persona të tjerë dyshohet se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës rreth 37 milionë euro.
Sipas njoftimit, “Të pandehurit akuzohen se gjatë periudhës kohore 2021 – 2023, me veprimet e tyre të kundërligjshme i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës, rreth 37 milion Euro duke kryer veprat penale: Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar, Zbulimi i fshehtësisë zyrtare dhe Ndihmë në Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar. Ky rast tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për procedurë të mëtutjeshme”.
Megjithatë, pak para se të ngritej kjo aktakuzë e dytë, në intervistën e xhiruar për RTK, Kurti foli fjalë të mëdha për Nagip Krasniqin.
“Drejtori, kryeshefi Krasniqi 105 milionë euro fitimin KEK-ut në vitin 2022, ky i ka çmendur kundërshtarët tjerë një pjesë e madhe e të cilëve janë në prokurori, dhe ky sulm që është bërë ndaj drejtorit është bërë për shkak të suksesit të tij, jo për shkak të dështimit të tij, dhe tash rasti është komplet procedural, jo i ke nënshkrua kontratat ose dokumentet e caktuara me kohë ose jo. Çështje procedurale.” – tha ai.
Krasniqi tash do të përballet me dy aktakuza dhe të dyja për keqpërdorim të detyrës e dallavere në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Në të parën, dëmi dyshohej të jetë mbi 2 milionë euro.