Rritja e inflacionit në Gjermani

- Bota Sot

Rritja e inflacionit në Gjermani

Vala e madhe e rritjes së çmimeve në Gjermani është thyer, por norma e inflacionit kohët e fundit është rritur. Cilat janë shkaqet?

Inflacioni në Gjermani mbetet më i lartë sesa është pritur. Me një normë prej 2.6 për qind, dhjetori solli rritjen e tretë radhazi dhe normën e dytë më të lartë të inflacionit në vitin 2024, njoftoi Zyra Federale e Statistikave në Gjermani. Ekonomistët aktualisht nuk presin një ulje të ndjeshme të çmimeve të konsumit, por besojnë se një valë e re e madhe e rritjes së çmimeve nuk ka gjasa.

"Në janar, inflacioni mund të mbetet në një nivel të ngjashëm për shkak të çmimeve më të larta të karburanteve dhe shërbimeve të sigurimit," parashikon ekonomisti i Commerzbank Jörg Krämer. Ai shton: "Problemi i inflacionit nuk është zgjidhur ende."

Michael Heise, ekonomist në HQ Trust, nuk sheh ndonjë lehtësim për konsumatorët as në janar. Rritja e taksës së dioksidit të karbonit, rritja e çmimit të biletës së transportit publik, kostot në rritje të sigurimeve shëndetësore dhe shërbimeve ekonomike mund të rezultojnë me një rritje të çmimeve prej rreth 2.5 për qind, thotë ai.

Inflacioni vjetor 2.2 për qind

Pavarësisht rritjes së infoacionit në dhjetor, inflacioni në Gjermani ka rënë dukshëm në krahasim me vitet e kaluara. Sipas të dhënave statistikore, mesatarisht për vitin 2024 çmimet e mallrave dhe shërbimeve janë rritur me 2.2 për qind krahasuar me një vit më parë. Sa për krahasim, norma e inflacionit në vitin 2023 ishte 5.9 për qind, ndërsa në vitin 2022 ishte 6.9 për qind. Si rezultat i sulmit rus në Ukrainë në shkurt 2022, çmimet e produkteve të energjisë u rritën ndjeshëm. Edhe në vitin 2021, inflacioni ishte dukshëm më i lartë, me një normë mesatare prej 3.1 për qind.

Inflacioni mbi 2 për qind

Ekonomistët presin që inflacioni të mbetet mbi nivelin e 2 për qind gjatë vitit 2025. Disa ekspertë shohin më pak hapësirë ​​për BankënQendrore Evropiane (BQE) për të ulur normat e interesit. Megjithatë, asnjë ekspert nuk pret një valë të re rritjesh të çmimeve, si ato në 2022 dhe 2023, kur norma e inflacionit në ekonominë më të madhe të Evropës arriti në pothuajse 9 për qind. Në vend të kësaj, norma vjetore e inflacionitpër vitin 2025 pritet të jetë në nivelin e vitit 2024, e disa ekspertë thonë se ajo mund të jetë rreth 2.1 për qind.

Normat më të larta të inflacionit ulin fuqinë blerëse të konsumatorëve. Inflacioni anulon edhe efektin e rritjes së të ardhurave. Në dhjetor më së shumti janë rritur shërbimet me rreth 4.1 për qind. Ushqimet janë rritur mesatarisht me rreth 2 për qind. Ndërsa çmimet e karburanteve kanë rënë me 1.7 për qind. Pavarësisht krizës, shumë ekonomistë mendojnë se gjendja do të stabilizohet në masë në vitin 2025./DW



Lexoni të gjitha në Bota Sot