Polemika mes udhëheqësve të Armenisë dhe Azerbajxhanit

- Bota Sot

Polemika mes udhëheqësve të Armenisë dhe Azerbajxhanit

Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev ka akuzuar Armeninë fqinje se paraqet një kërcënim "fashist" që duhet të shkatërrohet, komente të cilat udhëheqësi i Armenisë i quajti një përpjekje të mundshme për të justifikuar një konflikt të ri.

Armenia dhe Azerbajxhani kanë pasur një sërë konfliktesh që nga fundi i viteve 1980, kur Nagorno-Karabakhu, një rajon në Azerbajxhan që kishte një popullsi kryesisht armene, u shkëput me mbështetjen e Armenisë.

Në shtator të vitit 2023, Azerbajxhani rimori Nagorno-Karabakun, duke bërë që pothuajse të gjithë 100 mijë armenët të largoheshin masivisht drejt Armenisë. Që atëherë të dyja palët kanë thënë se duan të nënshkruajnë një traktat për ti dhënë fund konfliktit.

Por në një intervistë me kanalet televizive të Azerbajxhanit të martën mbrëma, Aliyev tha: "Armenia është në fakt një burim kërcënimi për rajonin. Shteti i pavarur armen është në thelb një shtet fashist. Për gati 30 vjet, ky vend u qeveris nga vartësit e ideologjisë së fashizmit, të pasqyruar në shtetin e tyre.”

“Prandaj, fashizmi duhet të çrrënjoset”, shtoi ai. "Ai do të çrrënjoset nga udhëheqja e Armenisë ose nga ne. Nuk ka rrugë tjetër."

Në komentet për agjencinë shtetërore armene të lajmeve Armenpress, kryeministri armen Nikol Pashinyan tha se Jerevani mbetet i përkushtuar ndaj negociatave paqësore.

"Ndoshta Baku po përpiqet të krijojë një arsye "legjitime" për përshkallëzim të tensioneve në rajon", citoi agjencia Armenpress kryeminstrin Pashinyan.

Bisedimet e paqes midis dy palëve kanë qenë të rralla dhe përparimi ka qenë i ngadaltë. Dy vendet nuk kanë marrëdhënie zyrtare diplomatike dhe kufiri i tyre prej një mijë kilometrash mbetet i mbyllur dhe shumë i militarizuar.

Azerbajxhani ka thënë se Armenia duhet të ndryshojë kushtetutën e saj për të hequr ato që Baku thotë se janë pretendime ndaj territorit të saj përpara se të nënshkruhet një traktat. Armenia thotë se nuk ka pretendime terrritoriale ndaj Azerbajxhanit.

Aliyev tha se vendi i tij nuk dëshiron të kthehet në luftë, por se Armenia, e cila është disa herë më e vogël se Azerbajxhani si me popullsi ashtu edhe me territor, po riarmatoset për konflikt.

Presidenti i Azerbajxhanit ka sugjeruar më parë se pjesë të Armenisë janë me të drejtë territore të Azerbajxhanit.

Në një intervistë, zoti Aliyev tha se Azerbajxhani do të siguronte korridorin Zangezur, një rrugë që lidh pjesën më të madhe të vendit me rajonin Nakhchivan dhe aleaten e ngushtë Turqinë.

Armenia thotë se nuk është kundër hapjes së rrugëve të transportit nëpër territorin e saj, por duhet të ruajë kontrollin e saj mbi një korridor të tillë./Voa



Lexoni të gjitha në Bota Sot