Zhegrova i sugjerohet klubit të madh të Premierligës

- Bota Sot

Zhegrova i sugjerohet klubit të madh të Premierligës

Edon Zhegrova është futbollisti më i përfolur shqiptar.

Pas hapjes së afatit kalimtar të janarit kanë nisur spekulimet për një largim të mundshëm të yllit kosovar nga Lille gjatë këtij muaji.

Dje, gazetari italian dhe njëherësh eksperti i transfereve, Fabrizio Romano zbuloi se interesim për 25 vjeçarin ka shfaqur Napoli.

Me kërkesë ta trajnerit Antonio Conte, klubi italian e do “Messin e Kosovës” qysh në janar.

Por, sot mediat britanike shkruajnë se anësori ofanziv mund të ketë të ardhme në Premierligë.

Madje, gazetarët e mediumit të njohur “The Athletic” ia kanë sugjeruar majtakun Arsenalit, i cili po vuan në fazën ofanzive.

Ata i kanë përshkruar aftësitë e jashtëzakonshme të lojtarit për driblime dhe për finalizime nga distanca, por edhe për asistime dhe pasime vendimtare.

Edhe në të kaluarën është përfolur për një interesim eventual të “Gunners” për përfaqësuesin e Kosovës.

Ndonëse dukej se futbollisti do të luajë në Francë së paku deri në fund të këtij sezoni, matematikat mund të ndryshojnë nga çasti në çast.

Zhegrovën qe një kohë po e vëzhgon edhe Milani në Itali, por pëlqim për të ka edhe Roma.

Futbollistin ofanziv të krahut të djathtë e duan edhe në Gjermani, ndërsa ëndërr e tij është transferimi në Spanjë, respektivisht në Barcelonë.

Kartoni i Zhegrovës kushton 25 milionë euro, ndërsa ai ka kontratë me Lillen deri në vitin 2026.

Ish-futbollisti i Baselit është gati për hapin e radhës në karrierë, të cilin mund ta bëjë në këtë muaj, eventualisht në verën që po vjen.

Zhegrova i ka realizuar 8 gola në këtë sezon, 4 prej tyre në Ligën e Kampionëve, tri në fazën kualifikuese dhe një në fazën e ligës.

Gjithashtu, katër të tjerë në Ligue 1.

Ndër të tjera, i ka edhe dy asistime, një në kampionatin francez dhe një në Champions.

Zhegrova është pa dyshim futbollisti shqiptar më i mirë i momentit, ndërsa po i kalon momentet më të mira të karrierës.



Lexoni të gjitha në Bota Sot