Rafa Benitez, ish-trajneri i Interit, mes shumë skuadrave të tjera, ka analizuar pasojat e humbjes në Superkupën Italiane nga perspektiva e zikaltërve: “Është e qartë se pas një ndeshjeje të tillë, në ambientin zikaltër mund të mbizotërojnë shqetësimi dhe njëfarë ankthi. Megjithatë këto ndjesi, në dhomën e zhveshjes, zgjasin një moment kur ke lojtarë të tillë me kaq peshë si Interi.
Humbja e Rijadit, në finale të Superkupës, ishte befasuese. Gjithkujt i duket kështu, veçanërisht kur mendon që pas rreth një ore loje, Interi ishte me dy gola përpara, duke pasur kontroll të plotë mbi ndeshjen dhe pa dhënë asnjë shenjë dobësie apo shqetësimi.
Pastaj, kush e di çfarë ka ndodhur, çfarë mund të ketë shpërthyer në skuadër, pa e kuptuar, ndonjë ndjenjë euforie që ai rezultat kishte krijuar, ose ndoshta jo vetëm. Në fakt, unë mendoj se ka ndodhur diçka tjetër: reagimi i Milanit ishte i vendosur dhe vendimtar.
Hyrja e Leaos në lojë e ndryshoi ndeshjen dhe u mundësoi kuqezinjve që të kishin një lojtar që mund të krijonte superioritet. Ndoshta dëmtimi i Calhanoglu iu hoqi sigurinë, autoritetin dhe pasimin e fundit zikaltërve, kur duhej më shumë qetësi.
Megjithatë, Interi mbetet një skuadër e fortë, shumë e fortë. Tani duhet të tregojë, në periudhën më të shkurtër, që e ka harruar humbjen në Superkupë, madje të ketë nxjerrë mësime të dobishme për të ardhmen, në situata të ngjashme. Duhet theksuar se deri në minutën e 47-të të ndeshjes në Rijad, të gjithë kishin bindjen se ishin përballë një Interi të pasur me talent dhe personalitet.
Kjo humbje, padyshim e dhimbshme, nuk do ta ndryshojë vlerësimin për Interin, sepse nuk mund të injorohet çfarë ka bërë kjo skuadër dhe forca e saj teknike. Megjithatë, reagimi duhet të jetë i menjëhershëm, nuk është momenti për t’i dhënë vetes më shumë pushim, sepse vetëm me fitore mund të fshihen mendimet e këqija që ndeshje të tilla përfundojnë duke krijuar”.