Ish-mesfushori legjendar i Arsenalit dhe tani, në moshën 40-vjeçare, pjesë e Real Oviedo, Santi Cazorla ka trajtuar një temë të ndjeshme për Barcelonën, duke folur për situatën para se Hansi Flick të merrte drejtimin e pankinës katalanase. Në fokus ishte paraardhësi i gjermanit, Xavi Hernández, për të cilin Cazorla deklaroi se u trajtua në mënyrë të padrejtë nga klubi blaugrana.
Sipas tij, Xavi luajti një rol kyç në rilindjen e Barcelonës, duke pasur kurajën të investojë te të rinjtë dhe t’i japë një frymë të re skuadrës blaugrana:
“Xavi e mori detyrën në një moment shumë delikat të Barcelonës.
E bëri këtë prej dashurisë që ka ndaj klubit dhe dëshirës për ta ndihmuar në një moment të errët. Ai besoi te të rinjtë, që tani po bëhen lojtarë të nivelit botëror, si Pau Cubarsí dhe Lamine Yamal. Ai bëri që Barça të rikthehej në garë për trofe, por është e qartë se nuk iu dha vlerësimi i duhur”.
Cazorla, që ka njohur mirë Xavi Hernández gjatë kohës së përbashkët tek Al-Sadd në Katar, theksoi se përjetoi momente shumë të vështira gjatë periudhës si trajner i Barcelonës: “U trajtua padrejtësisht, ka vuajtur shumë. Kam folur me të dhe e di se e ka përjetuar shumë keq. Tani dëshiron të pushojë dhe të kalojë kohë me familjen, por jam i sigurt që në të ardhmen do të rikthehet për të trajnuar”.
Cazorla mbylli deklaratat me bindjen se Xavi do të ketë një tjetër kapitull të rëndësishëm në karrierën e tij si trajner, pas kohës te Barcelona.