Alphonso Davies ka vendosur ta vazhdojë kontratën me Bayern Munichun.
“Sky Sport Germania” ka dhënë detaje të hollësishme sot, duke konfirmuar se mbrojtësi i majtë pritet ta vazhdojë kontratën në ditët në vazhdim, përcjell “Gazeta Express”.
Gjithnjë sipas mediumit gjerman, futbollisti kanadez do të nënshkruajë me gjigantin bavarez deri në qershor të vitit 2030.
Atë e tundoi tej mase oferta e fundit e klubit më të madh gjerman dhe rroga e tij vjetore do të jetë hiç më pak se 15 milionë euro, përfshirë edhe bonuset dhe premitë që do t’i marrë në momentit të nënshkrimit.
Bëhet fjalë për një lajm të mirë për Bayernin, i cili frikësohej se do të mundë ta humbiste njërin prej lojtarëve kyç të krahut të majtë të mbrojtjes.
Nga ana tjetër, një dëshpërim për Real Madridin, i cili shpresonte që do t’ia dilte ta siguronte nënshkrimin e Davies, duke e pasur parasysh se përfaqësuesit kanadez do t’i përfundojë kontrata aktuale në muajin qershor.
Muaj më parë e kishin bërë xhiron deklaratat e 24 vjeçarit, i cili e paralajmëronte largimin nga “Allianz Arena” në fund të këtij sezoni, ndërsa do të ishte i lirë të bisedojë me klubet tjera nga 1 janari, e madje të bëjë edhe parakontratë.
“Pas ushtrimeve nuk kam se çka të bëj dhe jam gjithmonë vetëm. Familja ime është në Kanada dhe e dashura ime nuk jeton në Munich. I kam pesë shokë dhe kur e përfundoj stërvitjen, ata punojnë ende. Ndihem një humbës i suksesit”, kishte thënë mbrojtësi i krahut.
Ndoshta rroga e re do ta ndihmojë atë që t’i heq mendimet negative.