Ismail Sodik vijon të jetë një çështje enigmatike dhe e paprecedentë te Partizani.
Nuk kishim parë kurrë që një lojtar të firmoste me klubin e ri, të stërvitej pak ditë dhe më pas të këmbëngulte për tu larguar.
Kjo po ndodh mes Sodik dhe Partizanit, që duket se nuk kanë ndërmend t’i japin fund “luftës”.
Lojtari nigerian vijon të qëndrojë në Tiranë, saktësisht në hotelin e klubit, por refuzon kategorikisht të zbresë në stërvitje, pavarësisht përpjekjeve të drejtuesve.
Arsyeja e vërtetë e vendimit të nigerianit për tu larguar nuk është mësuar ende, por fakti është se ai ndodhet prej afro një muaji në Tiranë dhe vijon të mos stërvitet. Ai ka firmosur për tri vite me Partizanin dhe drejtuesit kërkojnë që kjo marrëveshje të respektohet.
Kjo këmbëngulje e “demave” vjen për shkak se bëhet fjalë për një lojtar të nivelit të lartë, që do të zëvendësonte më së miri Hadrojn.