Shkëndija mundi edhe Tikveshin, Ibraimi shënon sërish

- Bota Sot

Shkëndija mundi edhe Tikveshin, Ibraimi shënon sërish

Shkëndija ka regjistruar edhe fitoren e dytë në kuadër të kontrollueseve, që kjo skuadër po i zhvillon në kuadër të fazës së parë të përgatitjeve për stinorin pranveror.

Pas fitores ndaj Bellasicës (4:0), sot të përzgjedhurit e trajnerit Jeton Beqiri në Shkup mundën Tikveshin me rezultatin 2:1. Deri tek fitorja “kuqezinjtë” erdhën me përmbysje, kjo pasi ishte skuadra nga Kavadari që avansoi e para falë super golit të Tasev që në minutën e 10-të.

Shkëndija u kundërpërgjigj me golin e Adenis Shalës në minutën e 36-të, kur i njëjti mjaft mirë shfrytëzoi një harkim të Jakup Kabës nga krahu i djathtë dhe me kokë shënoi për 1:1, ndërsa fitoren skuadrës tetovare i’a siguroi Besart Ibraimi me golin e realizuar në minutën e 54-të.

Bomberi kuqezi pa menduar shumë me të majtën e tij e goditi topin dhe e vendosi pas shpinës së portierit kundërshtarë, duke treguar formë të mirë edhe në këtë fillim të përgatitjeve.

Shkëndija edhe dy ditë të tjera do të vijojë stërvitjet në Tetovë, ndërsa nga data 25 janar deri më 8 shkurt ata do të zhvendosen në Antalia të Turqisë, aty ku do të zhvillojnë edhe fazën kryesore të përgatitjeve.

Në Antalia, Shkëndija do të zhvillojë katër ndeshje kontrolluese kundër kundërshtarëve ndërkombëtarë, duke përfshirë ekipe nga Kazakistani, Ukraina dhe Austria.



Lexoni të gjitha në Bota Sot