Nisur nga ankesat e shumta të trajnerit Ruben Amorim, Manchester United i ka plotësuar kërkesën portugezit për punësimin e trajnerit të njohur të atletikës, Harry Marra, për të ndihmuar në përmirësimin e aftësive fizike dhe teknikës së vrapimit të lojtarëve.
78-vjeçari amerikan konsiderohet si një nga trajnerët më të mirë në historinë e Atletikës. Ai ka qenë vendimtar në ndihmën që i dha atletit Ashton Eaton për të fituar dy medalje të arta në Lojërat Olimpike 2012 dhe 2016.
Sipas The Times, United e ka “punësuar”
Marra-n për një periudhë afatshkurtër, që mendohet të jetë vetëm çështje javësh, kohë e nevojshme që futbollistët të rifitojnë formën fizike më të mirë dhe të shkathtësohen me teknikat e vrapimit.
Amorim e ka shprehur shumë herë publikisht pakënaqësinë e tij në lidhje me formën fizike të shumë lojtarëve të tij dhe tani shpreson që falë ndihmës që do iu japë Harry Marra, ata të jenë në gjendje të mirë për pjesën e mbetur të sezonit, që është dhe më vendimtarja.