I turpëruar. Në televizor, në “Sky”, Alessandro Del Piero lëvizi me delikatesën e një elefanti në një dyqan porcelani…
Zakonisht i mat fjalët e tij me kujdes kur flet për Juventusin, që u mund dhe poshtërua në Champions League nga Benfica, por çfarëdo që ai thotë shkakton dëm. Disa fjali skalitin momentin që po kalojnë bardhezinjtë.
Fjalia e parë ishte “Napoli ka treguar se është përpara në kampionat”, ndërsa e dyta po aq zhgënjyese, “në Europë, të tjerët kanë qenë më mirë”.
“Pinturicchio” nuk mund të besojë se mund të reduktohet në këtë mënyrë. Ai gjithashtu përpiqet ta marrë diskutimin në një kuptim shumë të gjerë, të mos thellohet shumë në atë që pa. U rrek të gjente një shpjegim dhe rrugëdalje, duke folur për “kompaktësinë e mjedisit dhe të klubit, sepse i duhet qëndruar pranë ekipit”.
Megjithatë, dukej e vështirë për të që të maskonte realitetin, që është aty për t’u parë nga të gjithë. Goli që iu dha epërsinë fillestare portugezëve ishte një gabim i dukshëm. Dhe ai përdor terma si “i paorganizuar, i pavëmendshëm” për të përshkruar ekipin bardhezi, që “tashmë i mungon diçka dhe ka nevojë për ndihmë nga trajneri… Ka shumë vullnet të mirë, por pak cilësi”.
Del Piero shkon pak më tej, në një pikë të caktuar nuk mund të përmbahet, sepse “dy disfata radhazi (referenca është edhe humbja ndaj Napolit) janë të vështira për t’u gëlltitur”. Manifestimi i habisë së tij, në të mirë (si futbolldashës) dhe në të keq (sepse zemra bardhezi i rrjedh gjak), është toni i zërit që përdor dhe shprehja në fytyrë, kur komentoi veprimin që çoi në golin e dytë të Benfica.
E ka ende në sy, jep përmasat e nivelit në të cilin ndodhet Juventusi: “Ishte një veprim i frikshëm… për t’u parë një mijë herë”, – shtoi ish-kapiteni. Dhe nuk shtoi asgjë tjetër, tashmë kishte thënë “mjaft”.
Fabio Capello e ndërpreu atë nga studio dhe i shtoi një tjetër element diskutimit: “Ti the se Juventusi ishte i çrregullt…, por si mund të presësh që duke ndryshuar 6 lojtarë mund të jetë në rregull? Lojtarët e Juves po bëjnë detyrat e shtëpisë. Duket se trajneri nuk dëshiron t’i lërë të lirë të shprehen dhe kanë frikë të mos iu binden urdhrave të dhëna”.
Del Piero nuk di çfarë të thotë, zihet ngushtë, sepse nuk do t’i rëndojë më shumë me kritika bardhezinjtë. “Në fakt synimi ishte për të sulmuar, por kjo zgjati rreth dhjetë minuta, – përfundoi “Pinturicchio”. – Sigurisht që me një mesfushë pak më solide do ta kishte përmirësuar situatën…
Është e qartë se nëse ndryshoni kaq shumë në formacion, iu jepni më pak siguri të gjithëve. Çështja për mendimin tim është të kuptojmë nëse duhet t’i kemi të gjithë lojtarët në të njëjtin nivel, duke e ndryshuar formacionin, në mënyrë që t’i mbajmë të gjithë në tonus, apo në këtë moment është tjetër gjëja më e mirë”.