Një kualifikim i siguruar në frymën e fundit dhe një barazh kundër një prej klubeve më të mëdha evropiane.
Për Manchester Cityn është një moment delikat, edhe pse në javët e fundit skuadra e Pep Guardiolës e shfaqi një shenjë të ringjalljes.
Dhe pikërisht nga këtu ka nisur të mendojë trajneri katalunas për “play-off”, i cili do t’i shohë djelmoshat e tij duke u përballur me Real Madridin ose me Bayern Munichun.
Ish-trajneri i Barcelonës dhe i Bayern Munichut është i vetëdijshëm me vështirësitë që e presin ekipin e tij, por shton se gjithçka mund të ndodhë në javët në vazhdim.
“Real Madridi është rikthyer në top sa u përket rezultateve. Bayerni është duke e kaluar një sezon të jashtëzakonshëm me Vincent Kompany deri tash. Nëse do të na duhej të luajmë nesër, do të ishte e vështirë. Por, nuk e dimë se çka do të ndodhë pas dy javësh”, deklaroi Guardiola pas ndeshjes së mbrëmshme me Club Brugge.
“Reali dhe Bayerni… njëri është mbreti i kompeticionit, e tjetri është ndoshta mbreti i dytë ose i tretë i kompeticionit”, shtoi trajneri spanjoll.
Përkundër fitores së mbrëmshme me rezultat 3:1 ndaj Club Brugge, kampionët e Anglisë përfunduan në vendin e 22-të në tabelë me 11 pikë, prej tyre 3 fitore, 2 barazime e 3 humbje.
Për fatin e tyre të mirë, ekipet që përfunduan nga vendi i nëntë deri në atë të 24-t do të luajnë në fazën e “play-off”.
Kështu që, “Qytetarët” do ta kërkojnë një vend në të tetën e finales përmes kësaj faze të re.