Simone Inzaghi po sjell përfitime të mëdha financiare për Interin falë suksesit në Champions League.
Sipas ‘Tuttosport’, me të ardhurat nga vendi i katërt në fazën e ligës të edicionit aktual, klubi ka arritur një total prej 315 milionë eurosh nga kompeticionet europiane që kur Inzaghi mori drejtimin e skuadrës.
Vetëm këtë sezon, Interi ka grumbulluar tashmë 86 milionë euro, ndërsa një kualifikim në çerekfinale do ti sillte klubit edhe 12.5 milionë euro shtesë.
Përveç kësaj, pjesëmarrja e sigurt në Kampionatin Botëror për Klube do të garantojë edhe 20 milionë euro të tjera.
Në konferencën për shtyp, pas fitores 3-0 kundër Monaco-s, e cila e vendosi Interin mes katër më të mirave të Champions League, trajneri italian komentoi mundësinë e një përballjeje me Juventusin ose Milanin në fazën e 1/8-ave:
"Duke parë klasifikimin, në tetëshen më të mirë nuk kishte skuadra aq të mëdha. Kishte rrezik për një përplasje të fortë dhe kjo mund të ndodhë.
Jam i lumtur, nuk ishte e lehtë të përfundonim të dytët në barazim me Barcelonën dhe Arsenal-in: kemi bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm."
I pyetur për Lautaro Martinez, Inzaghi theksoi se nuk ka pasur kurrë dyshime për të:
"Kam thënë gjithmonë që është kapiteni ynë dhe nuk isha i shqetësuar kur nuk shënonte. Këtë mëngjes ai dhe Asllani qëndruan pas stërvitjes për të ekzekutuar penallti, të dy i realizuan.
Para ndeshjes pashë që biseduan dhe në rast se do të kishte një penallti, do të ekzekutonte njëri prej tyre, pasi mungonin Calhanoglu, Taremi, Zielinski dhe Arnautovic."