Milani dhe Interi përballen sot për herë të 242-të në histori në ndeshje zyrtare, të 182-n për Serinë A, në një sfidë shumë të rëndësishme për të dy skuadrat.
Interit i duhet fitorja për të kapur ritmin e Napolit të kreut, ndërsa Milani duhet të tregojë në fushë se Konseisao meriton besim pas “spastrimeve” të fundit që ka bërë në skuadër.
Trajneri portugez ka hedhur në fushë nga minuta e parë Uoker në prapavijë, duke vendosur Pavloviç përkrah Tomorit në qendër. Benaser ka marrë vendin e Fofana të skualifikuar, ndërsa Pulisiç e Leao nga krahët do të mbështetin Abraham.
Nga ana tjetër, kthehet Çalhanollu në rreshtim në mesfushë, edhe pse jo në formën më të mirë, duke marrë vendin që ka mbajtur në këto javë Asllani. Pavard ka fituar balotazhin me Bisek në mbrojtje, kurse në sulm rishfaqet dyshja Lautaro-Turam.
FORMACIONET ZYRTARE
MILAN (4-3-3): Menja; Uoker, Tomori, Pavloviç, Teo Hernandez; Musah, Benaser, Reijnders; Pulisiç, Abraham, Leao.
Trajner: Serxho Konseisao
INTER (3-5-2): Zomer; Pavard, De Vraj, Bastoni; Dumfris, Barela, Çalhanollu, Mkhitarjan, Dimarko; Turam, Lautaro.
Trajner: Simone Inzagi.