Nicola Zalewski debutoi me Interin në derbin ndaj Milanit, teksa dhuroi një asist te goli i barazimit 1-1.
“Kam shumë emocione. Këto dy ditë kanë qenë si një malore emocionesh. Dje u përpoqëm të bënim gjithçka deri në mesnatë, që të isha i disponueshëm për sot. Për fat e arritëm dhe shkoi mirë, ia vlejti”.
Ky është një tregues se sa shumë të ka dashur klubi…
Po, por këtë e dija edhe pa aktivizimin tim sot. Kisha folur tashmë me trajnerin, ai kishte vlerësime për mua. Mund ta falënderoj atë dhe klubin për besimin, si dhe mbështetjen e treguar ndaj meje.
Je këtu vetëm prej disa orësh, çfarë ndjesish ke përjetuar?
Ndjesi pozitive. Kam gjetur një grup të shkëlqyer, diçka që e vëren edhe nga jashtë. Duke luajtur për Romën kundër Interit në këtë stadium, e shihja që ishte një skuadër e bashkuar prej shumë vitesh. Është një grup gjithmonë pozitiv, që beson në çdo ndeshje. Ndodhi edhe sot, për fat munda ta ndihmoja skuadrën.
Hyrja jote në lojë tregoi që e kupton çfarë do të thotë të veshësh fanellën e Interit…
Po, jam këtu për këtë. Gjithmonë përpiqem ta ndihmoj skuadrën, ashtu siç kam bërë edhe te Roma. Do të vazhdoj ta bëj edhe këtu, nuk do të dorëzohem asnjë centimetër.
Mund ta kishe goditur vetë portën, por zgjodhe pasimin e duhur. Tregove qetësi…
Në fakt, në stol ishte Darmian që më tha të isha i qetë, sepse sot ishte një nga ato debutime klasike me gol. Kur pashë topin, mendova ‘tani mbyll sytë dhe godit me kokë’, por pastaj m’u kujtuan fjalët e tij dhe qëndrova i qetë, duke dhënë asistin për de Vrij.
A të tha diçka Piotr, para se të vije këtu?
Po, flisnim pothuajse çdo ditë sapo u shfaq mundësia e këtij transferimi. U dëgjuam shpesh, besoj se edhe ai ndihmoi shumë për këtë transferim. Tani më mbetet vetëm t’i ndihmoj të gjithë. Sot në dhomën e zhveshjes më treguan shumë dashuri dhe i falënderoj për këtë.