Vebi Islami prezantohet te Struga Trim Lum

- Bota Sot

Vebi Islami prezantohet te Struga Trim Lum

Sulmuesi i ri tetovar, Vebi Islami, është përforcimi më i ri i Struga Trim Lum. 18-vjeçari, i cili muajin e kaluar u largua nga Shkëndija për t’u bashkuar me Voska Sport, nuk u zyrtarizua kurrë te klubi i Ohrit për shkak të problemeve administrative.

Me tërheqjen e pronarëve turq dhe rikthimin e klubit në duart e Nefi Useinit, Islami vendosi të largohet, por duke mbetur buzë liqenit, kësaj radhe në Strugë. Islami u prezantua sot nga drejtori sportiv i Struga Trim Lum, Besar Isaku, duke konfirmuar kështu një lëvizje të rëndësishme për të dhe për kampionët në fuqi.

Sulmuesi premtues ka spikatur me Shkëndijën U19, ku sezonin e kaluar ishte një nga golashënuesit më të mirë të Ligës së Juniorëve me 10 gola. Gjithashtu, ai ka qenë pjesë e përfaqësueseve të reja të Maqedonisë së Veriut dhe ka treguar progres të vazhdueshëm në karrierën e tij.

Pas një periudhe të paqartë në Voska Sport, Islami tani ka gjetur një ambient të ri ku do të ketë mundësinë të zhvillohet dhe të ndihmojë Struga Trim Lum në objektivat e sezonit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot