Te Real Madrid janë shumë të frikësuar se Jude Bellingham mund të dënohet me 12 ndeshje pezullim për kartonin e kuq të marrë në fundjavën e kaluar ndaj Osasuna-s.
Arbitri i takimit, Jose Luis Munuera Montero, pretendon se Bellingham e ofendoi, ndaj e ndëshkoi direkt me të kuq, ndërsa anglezi thotë se e gjitha ishte një keqkuptim, pasi nuk ofendoi arbitrin, por ia tha vetes ato fjalë.
Neni 94, Kodi Disiplinor i Federatës Mbretërore të Futbollit Spanjol është mjaft i qartë për këtë situatë, në këtë nen thuhet se kushdo që fyen, ofendon ose i drejtohet arbitrit kryesor me terma, fjali apo qëndrime fyese, do të dënohet me pezullim nga 4 deri në 12 ndeshje, përveç rastit kur përbën një shkelje më të rëndë.
Brenda kësaj jave pritet të jepet vendimi zyrtar për Bellingham, ndërsa te Real-i urojnë t’ia hedhin paq me 2-3 ndeshje mungesë për anglezin, duke shpresuar që ai të dënohet për “mosrespektim” ndaj arbitrit, sipas nenit 117, në të cilën parashikohet dënimi me 2-3 ndeshje pezullim.