Një gjyqtar i huaj do ta drejtojë të hënën që vjen derbin e Stambollit mes dy klubeve më të mëdha të kampionatit turk, liderit Galatasaray dhe ndjekësit të titullit, Fenerbahçe.
Këtë e ka vendosur Federata Turke e Futbollit në përgjigje të kritikave të klubeve se po favorizohen rivalët e tyre.
“Për t’ju dhënë fund polemikave dhe për të mos i vënë në pozicion të vështirë kolegët tanë gjyqtarë, për ta drejtuar këtë ndeshje do të angazhohet një refer i huaj”, njoftoi presidenti i Federatës Turke të Futbollit, Ibrahim Haciosmanoglu.
Trajneri i Fenerbahçes, José Mourinho ka thënë disa ditë se skuadra e tij, e cila ka mbetur gjashtë pikë prapa Galatasarayt, do të duhej të ishte në krye të tabelës me një “avantazh prej 8-9 pikësh në kushte normale.”
Në të kaluarën, lojtarët e Adana Demirspor, u rikthyen në dhomat e zhveshjes gjysmë ore pasi kishte nisur takimit pasi ishte sinjalizuar një penallti në favor të Galatasarayt për një faull që ata e konsideruan si jo ekzistues.
TFF, i akuzuar nga disa liderë të elitës turke se po punon për interesat e Galatasarayt, kishte vendosur në muajin prill të vitit 2024 që të angazhonte video-asistentë të gjyqtarëve nga vendet tjera, pra të huaj, për ndeshjet ku ishin përfshirë skuadrat kryesore të kampionatit.
Pak ditë para kësaj, presidenti i Fenerbahçes i kishte urdhëruar lojtarët e tij për të dalë nga fusha në minutat e parë të finales së Superkupës turke kundër Galatasarayt, për t’i dënuar ato që i konsideronte si padrejtësi në drejtim të klubit të tij.