Dardanet synojnë nismë të mbarë ndaj Maqedonisë së Veriut në Ligën e Kombeve

- Bota Sot

Dardanet synojnë nismë të mbarë ndaj Maqedonisë së Veriut në Ligën e Kombeve

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e vajzave ka përmbyllur përgatitjet për ndeshjen e parë në edicionin e ri të Ligës së Kombeve.

Skuadra e drejtuar nga përzgjedhësi Sami Sermaxhaj ka zhvilluar sot seancën e fundit stërvitore në Kampin Nacional në Hajvali, përpara sfidës kundër Maqedonisë së Veriut, e cila luhet nesër në Shkup, në kuadër të Grupit 6 të Ligës C.

Në stërvitjen e sotme përzgjedhësi Sermaxhaj dhe stafi i tij kanë punuar në detaje taktike, derisa gjatë tri ditëve stërvitje Dardanet kanë punuar me përkushtim maksimal për ta nisur këtë cikël me rezultat pozitiv dhe për të bërë hapin e parë drejt objektivit kryesor – rikthimit në Ligën B.
Pas stërvitjes, dy lojtare të Kombëtares, Blerta Smaili dhe Djellza Mehmeti, ndanë pritshmëritë e tyre për këtë sfidë:

Blerta Smaili: “Besoj që jemi përgatitur shumë mirë. Kemi ushtruar tri ditë me intensitet.

Atmosfera është shumë e mirë në ekip dhe shpresojmë në fitore. I kemi pasur përballë disa herë këtë kundërshtar kohët e fundit dhe kemi fituar, por kjo nuk do të thotë se do të jetë një ndeshje e lehtë. E marrim si çdo ndeshje tjetër me seriozitet maksimal.

Synojmë për t’u kthyer në Ligën B dhe po punojmë në realizimin e këtij objektivi”.

Djellza Mehmeti: “Është një ndjenjë shumë e mirë. Të kalosh nga grupmosha U19 në ekipin e parë është thjesht ndjenjë e papërshkrueshme.

Është kënaqësi dhe privilegj të jesh pjesë e Kombëtares A me këto vajza të mrekullueshme, të cilat kanë treguar sukses. Në bazë të stërvitjeve dhe harmonisë së ekipit, besoj se do të dalim me rezultat pozitiv në ndeshjen me Maqedoninë e Veriut”.

Ndeshja Maqedoni e Veriut – Kosovë zhvillohet nesër (më 21 shkurt) në ora 14:00 në Shkup, ndërsa sfidën e dytë Dardanet do ta luajnë në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër Letonisë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot