Në provën e tij të parë reale si drejtues, Zlatan Ibrahimoviç dështoi, edhe sepse përvetësimi apo pranimi i një eliminimi si ai i së martës kundër Fejnordit nuk është absolutisht i lehtë. Këshilltari i lartë i “Redbird” ka zhytur imazhin publik të klubit në figurën e tij dhe sot e gjen veten duke lundruar në ujëra mjaft të trazuar së bashku me Serxho Konseisaon.
Suedezi do të duhet të marrë goditjet të paktën deri në verën e ardhshme, kur Xherri Kardinale do të emërojë një drejtor të pastër sportiv përkrah tij. Emrat e zbuluar për të plotësuar këtë rol janë ata të ish-drejtorit të Juventusit, Fabio Paratiçi, i cili është ende i pezulluar deri në vjeshtë, por mund të funksionojë fillimisht si konsulent.
Një tjetër profil është ai i Andrea Bertas, i cili janarin e kaluar i tha lamtumirë Atletikos së Madridit pas një bashkëpunimi mbi 10-vjeçar teksa deri pak javë më parë u përfol edhe Fransua Modesto, dikur në bordin drejtues të Monzas.
Emri më i fundit, por sigurisht jo për nga koha, është ai i Igli Tares që është përmendur edhe në të kaluarën për një lidhje me klubin kuqezi. Ata që sapo u përmendën janë të gjithë profile dhe emra të vlefshëm, sepse janë profesionistë që do të përshtateshin në mënyrë të përkryer në organigramën e “Djallit”.
Së shpejti kjo figurë e re do të futet në bordin drejtues…por çfarë do të ndodhë me Ibrahimoviçin, Monkadën dhe Furlanin Këshilltari i Lartë i “RedBird” nuk do të shohë ndryshimin e pozicionit të tij brenda klubit, ndryshe nga drejtori aktual teknik, i cili në vend të kësaj do të kthehej me kohë të plotë për të qenë kreu i sektorit të talentzbuluesve.
Nga ana tjetër, Furlani do të bëhej pika referimi për çështjet ekonomike, të cilit drejtori sportiv do t’i kërkojë ndihmë kur ta gjejë veten duke ndërtuar ekipin.