Ndeshja e madhe po afron. Të shtunën, në orën 18:00, Interi i Simone Inzaghit do të jetë mysafir i Napolit të Antonio Contes.
Një përballje direkte për kreun e tabelës së Serie A. Ndeshje e rëndësishme që mund të përcaktojë rrjedhën përfundimtare të kampionatit, por që nuk mund të jetë vendimtare për titullin.
Në prag të sfidës në “Maradona”, “Gazzetta dello Sport” ka intervistuar Alessandro Altobellin: “E them nga perspektiva e një sulmuesi; kjo është një mundësi e pabesueshme, rast i artë që s’mund ta humbasësh”.
Ish-sulmuesi zikaltër vazhdoi: “Edhe pse gjithmonë kam menduar se ndjekja e kryesuesit nuk është problem për Interin, duke qenë se diferenca me vendin e parë nuk ka qenë kurrë shumë e madhe, kam përsëritur shpesh se limiti i zikaltërve këtë sezon ka qenë fakti që nuk kanë fituar asnjë nga ‘klasiket’ ndaj Milanit, Juventusit dhe Napolit. Nuk më kujtohet ndonjë skuadër që ka fituar titullin pa marrë pikë në këto përballje të drejtpërdrejta”.
Në përfundim, Altobelli theksoi: “Të shtunën në ‘Maradona’, Interi do të ketë përballë nënën e të gjitha mundësive, sepse kjo ndeshje vlen një pjesë të madhe të titullit.
Rrëzimi i Napolit dhe shkëputja pas parakalimit mund të ndikojnë shumë në historinë e këtij kampionati”.