“San Siro”, një ndër stadiumet më të mëdha në Evropë pritet të rindërtohet.
Prej kohësh Milani dhe Interi e kishin dorëzuar kërkesën e tyre në bashki, por pa marrë një miratim.
Por tashmë kryebashkiaku i Milanos ka deklaruar se është në pritje të propozimit nga palët, i cili mbetet vetëm për t’u finalizuar. E nëse kjo do të ndodhë punimet do të nisin në vitin 2027, për të përfunduar në vitin 2030.
Planet për ndërtimin e një stadiumi të ri që do të zëvendësojë “San Siro”-n, stadiumin më të madh në Itali, duket se po shkojnë drejt konkretizimit.
Kryetari i bashkisë së Milanos, Giuseppe Sala, bëri me dije se është në pritje të dosjes me detajet e projektit të ri, i cili është parashikuar të ndërtohet po në “San Siro” tek i njëjti vend.
Dokumentet nga Interi dhe Milani për ofertën për blerjen e “San Siro”-s dhe zonave ende nuk ka mbërritur, por presim gjatë kësaj jave. Besoj se edhe ata janë duke punuar për këtë. Duhet të keni parasysh se bëhet fjalë për 2 kompani, 2 borde drejtuese dhe duhet gjetur ekuilibri”, u shpreh ai.
Sala bashkohet me idenë e një stadiumi të ri dhe modern, por pa e humbur identitetin.
“Giuseppe Meazza” duhet t’i lërë vend një strukture të re, më efikase dhe moderne.
Ideja është të ndërtohet një stadium i ri me një ndikim minimal mjedisor, me një kosto për klubet që mund të jetë rreth një miliardë euro, por mbi të gjitha që mund të lërë gjurmë të asaj që është sot “San Siro”.
“Struktura e re parashikohet të presë jo më shumë se 70,000 spektatorë dhe të futet në një kontekst urban me 50% sipërfaqe të gjelbra, e gjitha në fakt sipas projektit që është diskutuar që nga viti 2018”, vazhdoi më tej Sala.
Planet për rindërtimin e stadiumit nga Inter dhe Milani kanë nisur që në qershor të vitit 2019, por asko kohe u kundërshtua nga bashkia, pasi stadium duhet të ishte ne dispozicion të Lojërave Olimpike Dimërore dhe Paraolimpike Dimërore 2026.
Nëse palët do bien dakord, kantieri pritet të hapet ne vitin 2027 dhe punimet mund të zgjasin për tre vite, deri në 2030-ën.
Aktualisht stadiumi “San Siro” ka kapacitet prej 75 mije e 817 vendesh. Ndërtimi i tij filloi në vitin 1925, dhe ndër vite është rinkonstruktuar dhe zgjeruar. Përpos që përdoret nga Milani dhe Interi, kombëtarja e Italisë herë pas here luan aty, si dhe zhvillohen një sërë finalesh të kompeticioneve evropiane.