Totti përgënjeshtron publikisht Morattin:

- Bota Sot

Totti përgënjeshtron publikisht Morattin:

Francesco Totti sqaron mundësinë e kalimit tek Interi, për të cilën është folur shumë kohët e fundit, kur ishte futbollist. Disa ditë më parë, Massimo Moratti, ish-president i Interit, në një intervistë për “Corriere della Sera”, tha se Franco Sensi, për shkak të situatës së rëndë të borxheve të Romës, i kishte ofruar kapitenin e tij në çdo mënyrë.

"Roma atëherë ishte e mbushur plot me borxhe… Presidenti ishte kaq i dëshpëruar saqë erdhi e më ofroi Tottin duke qarë… Mbase ai do të kishte zgjedhur të qëndronte te Roma, por edhe ne vendosëm të mos e merrnim".

Dje erdhi përgjigja e ish-kapitenit të Romës: "Moratti është një zotëri, numër një, por deklaratat e tij nuk më pëlqyen. Sensi nuk ka dashur kurrë të më shesë, ai nuk ka pranuar asnjëherë, ka qenë gjithmonë i vendosur për këtë. Pra, në të vërtetë, ishte e kundërta.

Moratti dhe Interi më donin, por për Sensi kam qenë gjithmonë i paçmueshëm. Dhe kjo duhet thënë. Për të nuk kishte asnjë dilemë, ashtu siç nuk kishte për mua: të qëndroja vetëm te Roma. Kjo është e vërteta".

Për këtë çështje ka ndërhyrë edhe Rosella Sensi, ish-presidente e Romës: "Mbeta e befasuar dhe e zhgënjyer. Më vjen keq të lexoj fjalët e Massimo Morattit në ‘Corriere della Sera’, ku flet për një Romë të dëshpëruar në borxhe, që ia ofronte Tottin një rivali si Interi.

Babai im kurrë nuk ka menduar asnjëherë ta shesë Francesco te ndonjë klub tjetër. Mjafton të pyesni presidentin dhe mikun Florentino Perez, i cili e kuptoi menjëherë se nuk kishte asnjë mundësi për të hapur negociata transferimi të Tottit te Real Madridi".

Francesco Totti, i ftuar special në emisionin "Viva el Futbol", analizoi situatën aktuale të Romës dhe çfarë do t’i duhej për të konkurruar në nivelet më të larta: "Për të fituar titullin te Roma duhen trajnerë të mëdhenj, por mbi të gjitha lojtarë të mëdhenj. Duhet diçka më shumë se ajo që shoh sot. Aktualisht, Roma e meriton vendin e pestë apo të gjashtë, jo më shumë. Ka skuadra më të forta në këtë moment".

Duke folur për emrat e mundshëm, Totti e bëri të qartë se zgjedhja e tij ideale do të ishte Carlo Ancelotti, por nuk e sheh rikthimin e tij si të realizueshëm: "Romës i duhet Ancelotti, por ai nuk vjen.

Dhe nëse do të vinte, e para gjë që do të thoshte do ishte: Cila është skuadra? Sepse me këtë skuadër nuk vij, duhet ndryshuar ‘shtylla kurrizore’. Nëse do të isha unë drejtor teknik, do përpiqesha ta bindja atë. Dhe nëse i bie telefonit unë, është ndryshe nga të tjerët".

Ndërsa për Gasperinin, teknikun aktual të Atalantës, ish-kapiteni verdhekuq nuk është shumë i bindur: "Është një trajner i mirë, por nuk më bind. Nuk do të mund të luaja kurrë me stilin e tij, që mbulon gjithë fushën".

Një tjetër emër që i pëlqen është De Zerbi, por ai do të ishte një ‘bast’ i madh për ambientin roman: "Më pëlqen shumë De Zerbi, por te Roma do të ishte në pikëpyetje. Atje janë mësuar me trajnerë mesatarë…"

Diskutimi nuk mund të shmangte José Mourinhon, një temë që shpesh ka ndarë mendimet mes Tottit dhe Antonio Cassanos. Ish-kapiteni romanist e mbrojti portugezin: "Mourinho është një nga më të fortët në botë, edhe pse ti mendon të kundërtën. Ti je ai tipi i tifozit që do lojë të bukur, por nuk fiton asgjë. Unë jam e kundërta jote. Allegri, Ancelotti apo Mourinho nuk luajnë futboll të bukur, por dinë t’i vendosin lojtarët në fushë dhe të fitojnë. Në futboll, rëndësi ka rezultati. Mourinho me Romën ka luajtur dy finale europiane, çfarë mund t’i thuash?" 



Lexoni të gjitha në Bota Sot