Josep Martinez rrëfehet në vetë të parë. Portieri i Interit ka folur për “La Repubblica”, duke ndarë mendimet e tij mbi modelet që e kanë frymëzuar mes shtyllave.
“Model kam pasur Neuer, portier i guximshëm dhe mjeshtër në leximin e kohës së lojës, – tha ai. – Kam luajtur në Spanjë, në Gjermani te Leipzig dhe tani në Itali. Pra, kam provuar tri shkolla të mëdha futbolli”.
Teksa u aktivizua pas dëmtimit të Sommer, portieri spanjoll foli edhe për sezonin që po përjeton skuadra e Simone Inzaghit, ende në garë në të gjitha kompeticionet:
“Duam të fitojmë çdo ndeshje. Mendimi i parë është kampionati, por Champions League mbetet ëndrra e madhe”.
Nuk mungoi një referencë për Genoa, ish-ekipin e tij, ku u bë protagonist me pritje vendimtare në minutat e fundit të ndeshjeve:
“Nëse jam këtu, është falë atyre muajve të mrekullueshëm te Genoa. Gjithashtu kam pësuar gola në minutat e fundit. Ndonjëherë fiton, ndonjëherë humbet. E rëndësishme është të jesh gjithmonë gati”.
Në fund, Martinez u ndal te klishetë mbi portierët, të cilët shpesh cilësohen si “pak të çmendur”:
“Shumica po, edhe unë nuk bëj përjashtim. Stërvitesh vetëm, në fushë je shpesh larg shokëve të skuadrës, duhet ta mbash veten të motivuar. Edhe kjo mësohet. Pas karrierës, do të më pëlqente të bëhesha trajner portierësh”.