Thiago Motta ka nevojë për kohë

- Bota Sot

Thiago Motta ka nevojë për kohë

E ardhmja e Thiago Mottës është një temë e nxehtë në futbollin italian.

Leonardo Bonucci, ish-mbrojtësi historik i Juventusit, ka shprehur mendimin e tij për “Gazzetta dello Sport” lidhur me një mundësi të konfirmimit të trajnerit italo-brazilian, edhe në rast të moskualifikimit në Champions League:

“Kjo varet nga objektivat e klubit, i cili gjatë verës investoi te disa lojtarë, por edhe te të rinjtë që ka vlerësuar. Nëse dëshiron të fitosh menjëherë, në qershor ndryshon dhe merr Conten, përndryshe i jep kohë Mottës dhe Giuntolit për të ndërtuar bazat dhe rikthyer te suksesi.

Sigurisht që prisja një rritje më të madhe, por tani bardhezinjtë duhet të bashkohen për objektivin e vetëm që ka mbetur, kualifikimi në Ligën e Kampionëve (për edicionin e ardhshëm), i cili gjithsesi është një ngushëllim i vogël”.

Bonucci pranon se nuk është i kënaqur: “Megjithatë, një projekt ka nevojë për kohë dhe harmoni në nivel drejtues. Motta aktualisht ka një projekt të paqëndrueshëm, por duhet t’i jepet besim të paktën edhe për një vit tjetër për të krijuar kushtet për të fituar. Sigurisht, edhe ai duhet të rritet.

Duhet të kuptojë se të stërvitësh Juven është një botë më vete, ai është i zgjuar dhe duhet të kuptojë cilat janë pjesët që duhen përmirësuar. Edhe te Bologna pati vështirësi në fillim, por te Juve luhet për të fituar, është gjithçka ndryshe.

Nuk është e drejtë t’ia ngarkosh të gjitha përgjegjësitë atij pas vetëm 8 muajsh, por Motta duhet të bëjë një hap përpara edhe në nivel komunikimi. Të thuash ‘jemi të trishtuar dhe të zhgënjyer’ nuk mjafton”.

Megjithatë, sipas Bonuccit, nuk është gjithçka për t’u hedhur poshtë: “Kam besim se, nëse qëndron Thiago, mund të dalë diçka pozitive. Ai i ka dhënë mundësinë Juves të dominojë ndeshjet në aspektin e lojës, por kjo nuk do të thotë të fitosh.

Me rritjen e të rinjve dhe përfshirjen e 2-3 lojtarëve të nivelit të lartë, sezonin e ardhshëm do të ketë bazat për një hap më lart. Sot nuk ka një skuadër për titull, por nëse do të kishte fituar ndaj Atalantës, mos ta harrojmë, Juve do të ishte ende në garë për titull”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot