Në tetë sezone si kuqezi, Andrij Shevçenko shënoi 175 gola në 322 prezenca, çka e bëjnë një legjendë të gjallë të Milanit. Ukrainasi ka dhënë një intervistë, pikërisht për të analizuar momentin e ish-klubit të tij.
Si e gjykoni momentin që po kalon Milani?
Nuk e shoh edhe aq mirë. Rezultatet nuk ndihmojnë, ka pak konfuzion, ka shumë polemika. E them këtë si tifoz i Milanit, si dikush që e do ekipin, që e do klubin dhe që i do tifozët.
Mendoj se duhet të kemi ide më të qarta, sidomos për të krijuar një situatë më pozitive pas atij momenti të vështirë. Për shembull, fitorja kundër Leçes mund të ndihmojë shumë.
Çfarë këshille do t’i jepnit Konseisaos në këtë periudhë?
Ai po përpiqet të shpëtojë sezonin, të bëjë një ndryshim. Unë kam qenë edhe trajner, e di që një trajner mendon vetëm për të mirën e ekipit dhe të klubit, duke sakrifikuar veten e tij.
Jam i bindur se Milani është gjithçka që ka në kokë Konseisao, që nga momenti kur zgjohet deri në momentin që shkon për të fjetur. Ai mendon vetëm se si të përmirësojë situatën e grupit. Unë besoj në profesionalizmin e çdo trajneri.
A mund të shpëtohet ende ky sezon?
Një sezon nuk hidhet tutje pa mbaruar, por tani te Milani duhen ide shumë të qarta për atë që dëshironi të bëni në sezonin e ardhshëm.
Gjithmonë duhet menduar për më të mirën: në fushë, në çdo seancë stërvitore, në çdo minutë që duhet t’i kushtohet Milanit.
Kë do të shpëtonit nga lojtarët?
Nuk jam aty dhe nuk mbaj përgjegjësi. Shoh nga jashtë si një person që e do Milanin. Më intereson shumë që skuadra të kthehet si më parë, sepse është ekipi ynë. Nuk mund të jap këshilla, sepse nuk kam asnjë rol në klub.
Sa i meriton kjo skuadër kontestimet e tifozërisë?
Milani është një ekip i veçantë, sidomos për tifozët dhe historinë e tij. Nuk duhet të harrojmë kurrë atë që ka bërë Milani.
Historiku fle edhe për Kupat e Kampionëve, kampionatet, emrat e mëdhenj, lojtarët e mëdhenj, drejtuesit, presidentët, të gjithë ata që e kanë bërë Milanin një emër të madh.
A i duhet Milanit një projekt i ri?
Tani është momenti për të ndërtuar një projekt. Askush nuk ka një shkop magjik, por do të ishte mirë të kishte një linjë të saktë, një ide të qartë se ku synohet të shkohet.
Pra, jeni kundër një revolucioni veror?
Nevojitet më shumë qartësi. Të gjithë e dinë, ka shumë presion dhe shumë përgjegjësi kur je te Milani. Edhe në Milanin tonë kemi kaluar kohë të vështira.
Por kishte një kapiten të vërtetë në fushë, si Paolo Maldini. Ka qenë një figurë e madhe si Adriano Glliani, ka pasur një klub që ka mbështetur gjithmonë lojtarët dhe trajnerët. Në kohë të vështira duhet të bashkohemi më shumë dhe të besojmë te projekti.